Aleanca Kosova e Re ka vendosur të hyjë e vetme në zgjedhjet e reja parlamentare. Lideri i kësaj partie, Behgjet Pacolli ka bërë të ditur se AKR nuk do të garojë në koalicion parazgjedhor dhe me programin e saj që bazohet kryesisht në zhvillim ekonomik.

“AKR është e përgatitur për zgjedhjet e ardhshme, jo vetëm në bazë të një programi që relativisht e kanë lexuar kosovarët, por në bazë edhe të veprave që ka arritur të bëjë gjatë tre viteve në qeverisje. Nuk ka koalicion parazgjedhor. AKR do të garojë e vetme, me listën e vetë, me njerëzit e vetë dhe me ofertën e saj 100 për qind ekonomike”, ka deklaruar Pacolli.

I pyetur rreth sondazheve që e radhit AKR-në si parti që mund të mos e kalojë pragun zgjedhor për të hyrë në Kuvend, Pacolli është shprehur i bindur se partia e tij do të triumfojë në këto zgjedhje, edhe pse garon e vetme.

Ndërsa kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, që është edhe zëvendëse e Pacollit në parti, ka folur për pjesëmarrjen e AKR-së në qeverisjen e deritanishme.

“Bosht të programit tonë kemi pasur zhvillimin ekonomik dhe mirëqënien e qytetarëve. Sot pas 7 vitesh edhe partitë e tjera po ndjekin këtë rrugë dhe po fokusohen në zhvillimin ekonomik. Ne jemi të kënaqur për këtë, pasi për të pasur një Kosovë të zhvilluar duhet të kemi një bashkërendim të të gjitha niveleve”, ka thënë Lila.

Më pas Kusari-Lila pastaj ka prezantuar aderimin e ish-nënkryetarit të AAK-së, Naim Maloku në strukturat e AKR-së. Në konferencën për shtyp, krerët e AKR-së nuk kanë dashur të flasin rreth Gjykatës Speciale dhe shpërndarjes së Parlamentit.

Top Channel