Arti Tamburi – Në vazhdim të disa muajve sensibilizimi e ndërgjegjësimi nga politika e media me reformën e re territoriale-administrative, të paktë janë ata që nuk janë njohur me përfitimet në kuadrin e pushtetit lokal e dobitë në sferën financiare, të cilat do të rezultonin nga një nismë e tillë.
Mazhoranca aktuale duhet përshëndetur e përgëzuar për pasjen e vullnetit politik për të çuar përpara këtë reformë sa të domosdoshme aq edhe të ndërlikuar për rritjen e funksionalitetit dhe efikasitetit të pushtetit vendor në Shqipëri. Duke u pajtuar me detyrueshmërinë ndaj një reforme të tillë, e duke e konsideruar të vonuar si iniciativë, e shoh të tejkaluar nevojën e bërjes së avokatit, sepse pasja e qindra njësive administrative në një vend të vogël (si në territor, po ashtu edhe në popullatë) që prodhojnë një ushtri me politikanë të pafuqishëm është thelbësisht e paefektshme si taktikë. Por, duhet ndalur në një aspekt të kësaj reforme, e cila deri më sot është cekur rregullisht nga grupet e interesit jo ose antishqiptare, por prekur vetëm kalimthi nga shqiptarët e nga elita politike. Si shumë reforma shtetformuese e shtetpërcaktuese në vend, edhe kësaj i kanoset rënia në kurthet antikombëtare, të cilat i kanë gjetur shqiptarët historikisht të papërgatitur.
Shqetësimet marrin shkas nga presionet e tendencave separatiste të grekeve e maqedonasve, në të cilat mund të bjerë pre reforma. Të dorëzuar përballë kërkesave të paqena të qarqeve të caktuara interesash, në media janë shfaqur propozime ku planizohet dhënia e statusit të njësisë së Dropullit, (duke bashkuar dy komunat Dropull e Komunën Pogon), Livadhjasë, (duke bashkuar komunat përreth Delvinës e Sarandës) e Liqenasit (duke i dhënë njësi administrative një komune të vetme). Kërkesa shtesë ka edhe për Himarën që të mos i bashkohet Labërisë, edhe për Vlorën e Gjirokastrën që të jenë pjesë e një rajoni në mënyrë që minoriteti grek të mos jetë i ndarë etj. Pra, kritereve të njohura e të pranuara themeluese për njësi rreth numrit të popullsisë, madhësisë së territorit, burimeve ekonomike, historikut etj., fshehtësisht e ngadalë po i shtohet një tjetër – ai etnik, që madje pritet të jetë përjashtues e shfuqizues ndaj kritereve të tjera mbi zonat e ashtuquajtura minoritare. Me fjalë të tjera, kërkohet të barazohet përcaktimi etnik dhe kulturor me kufijtë territorialë të njësive të ardhshme, ndonëse Shqipëria është shtet me karakter të qartë unitar, i garantuar me Kushtetutë, ndonëse përqindjet e bashkuara të shtetasve me përcaktim etnik grek e maqedonas mezi kalojnë një përqindëshin, (sipas censusit të fundit) e ndonëse Shqipërisë as që nuk i janë kërkuar e as imponuar ndërkombëtarisht themelimi i enklavave etnike të tilla jashtë çdo kriteri normal, si në rastin e Kosovës.
Duke u ndalur në rastin e Kosovës, nuk kemi nevojë të imagjinojmë se çfarë impakti politik mund të ketë në të ardhmen lënia e hapësirave të pamerituara e të pabaza. Pasja e njësive etnike greke në kufi me Greqinë e maqedonase në kufi me Maqedoninë, mund të shërbejë lehtësisht si paradhomë për kërkesa për autonomi, ose edhe ndarje – në mëshirë të fatit politik të së ardhmes dhe duke i vendosur një Mitrovicë të dytë kombit shqiptar. Për më tepër, standardet e dyfishta duke aplikuar kriteret në mënyrë përzgjedhëse veç mund t’i volitin drejtuesve politikë të minoriteteve në vend, që me diskursin e tyre shovinist veç i kanë tkurrur partitë e tyre ndër vite, e kurrsesi s’janë përfaqësues realë të minoriteteve në Shqipëri që për arsye të mirë mbështesin partitë shqiptare e gjenden të inkuadruar në to më së shumti me kalimin e kohës. Këto lëshime që hamendësohen që të bëhen mund të kënaqin veç orekset antishqiptare të fqinjëve tanë e të veglave të tyre në Shqipëri që mundohen të ruajnë karrigen e tyre në këtë mënyrë. Fati i shtetasve shqiptarë me etni joshqiptare do të ishte katërcipërisht ndryshe ama, të cilët do të liheshin të margjinalizuar, të mënjanuar, e mbi të gjitha, në njësi josuficente – të krijuara nga diktati politik e jo sipas praktikave më të mira perëndimore. Këtyre njësive të paqena në kundërshti me kriteret bazë do t’u mungonte administrimi i përshtatshëm, e mbi të gjitha “poli urban” për të cilën ka folur vetë ministri përkatës i kësaj reforme. Fshatra që kanë qenë të lidhura e pjesë të Sarandës ose Delvinës historikisht, do të liheshin pa pikë drejtuese e shërbyese, sikurse Liqenasi pa Korçën. Pra të diferencuar nga të tërë shtetasit e tjerë shqiptarë, minoritetet në vend (ose së paku ato në zona të caktuara) jo që s’do të integroheshin, por as që do të ishin palë përfituese të shërbimeve cilësore e të të mirave të tjera të trumbetuara në media që burojnë nga kjo reformë. Në vend se të jenë faktorë të qenësishëm në njësi të mëdha e të rëndësishme me qendra urbane, minoritetet në vend do të braktiseshin në defaktorizim në njësi rurale e josuficente, thjesht për hir dhe në emër të faktorizimit të drejtuesve të tyre të caktuar politikë.
Kjo reformë duhet të përdoret si një shans i artë për të integruar vendin e për të çmontuar kulturën e ‘çifligarëve’ në vend, e jo për të rajonalizuar ose kantonizuar kombin më tej në feude e principata të udhëhequra nga ‘pashallarë’. Kjo reformë është një mundësi për të thjeshtësuar problemet e ndryshme, e kurrsesi nuk duhet të shërbejë si mami në lindjen e ‘Bollanove’ të rinj potencialë. Kjo reformë ka aftësinë për t’i dhënë fund faktorizimit të drejtuesve të vegjël e grupeve të vogla të instrumentalizuara nga jashtë, e jo të ruhen ose edhe të krijohen zona ‘minoritare’ në kundërshti me Kushtetutën shqiptare, historikun administrativ, e kriteret bazë, kur zonat shqiptare shkrihen me njëra-tjetrën. Parë në këtë prizëm, duhet shqyrtuar me vështrim hetues e këqyrje të kujdesshme çdo propozim për ndarjen e vendit në rajone që nën presione e ndikim nga palë të huaja mund të tjetërsohen nga Tirana zyrtare.
Zgjidhja më efikase, e pranueshme, e kombëtare në këtë instancë është organizimi i vendit në 20-30 rrethe, (në përputhje me ndarjen e njohur historike të administrimit shqiptar) me vetëm një nivel qeverisjeje vendore ku zhbëhet rajoni si ide, qarku si shpikje, e bashkitë e komunat si profile. Kjo do të përkthehet në lehtësim shtetëror e kursim financiar në çdo aspekt menaxhues e kontrollues, sikurse zgjedhor e sigurie. Gjithashtu, çdo njësi do të përmbushte kriteret bazë, duke qenë e mjaftueshme në burime njerëzore, ekonomike, e natyrore për të gëzuar autoritet politik e zhvillim të qëndrueshëm. Në një plan të dytë kjo edhe mund të jetë shtysë për të reformuar sistemin zgjedhor shqiptar në proporcional kombëtar siç e kanë shtetet e tjera unitare e etnikisht homogjene si Holanda, e jo proporcional rajonal siç e kanë vendet me traditë federalizmi e heterogjenitet etnik si Spanja, pra kategori në të cilën Shqipëria nuk bën pjesë. Pra çdo sistem administrativ ose zgjedhor në Shqipëri duhet të jetë reflektues e përfaqësues karshi karakterit të shtetit shqiptar, e në shërbim të integrimit të brendshëm e kohezionit social të shoqërisë, e jo si shtysë për fenomenet apo tendencat negative krahinore apo klanore në vend. Përndryshe, nga kjo reformë që priten të korrektohen plot problematika, do të lindin probleme shumë më të mëdha.
Në qoftë se kemi mësuar ndonjë gjë rreth reformës territoriale-administrative në këto muaj, është se kjo reformë do të ketë pasoja gjithëpërfshirëse politike, ekonomike, shoqërore, e zgjedhore, pra shqyrtimi i çështjes në prizmin kombëtar është më jetik se kurrë. Ato vështirësi administrative që shtete si Kosova po i kalojnë si produkt i kompromiseve të dhimbshme e të imponuara ndërkombëtarisht, kurrsesi s’mund t’i kopjojmë si model në Shqipëri me vullnet të lirë e nën presione individuale të caktuara. Në qoftë se jemi të përkushtuar ndaj integrimeve të jashtme, ta dimë mirë se ato janë të varura nga integrimet e brendshme. E në qoftë se jemi edhe më partizanë të të drejtave të minoriteteve se Bashkimi Europian, ta dimë se ato implementohen e garantohen me ligj, drejtësi, e shërbime cilësore administrative, e jo me anë të standardeve të dyfishta e vizatime hartash në tavolinë.
Top Channel