Përmbytjet, Prishtina kërkon ndihmë

20/04/2014 00:00

Komuna e Prishtinës kërkon ndihmë nga qeveria e Kosovës për të riparuar dëmet e shkaktuara nga përmbytjet për shkak të reshjeve të një ditë më parë.

Në një konferencë për media kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se fillimisht do të bëhet vlerësimi i dëmeve nga komisioni përkatës e me pas do të kërkohet edhe ndihma e qeverisë.

“Kjo është një fatkeqësi natyrore, tha Ahmeti, ato probleme infrastrukturore ku ne mund të ndërhyjmë do t’i bëjmë vet, natyrisht do t’i përdorim gjithë kapacitetet që kemi para se të kërkojmë ndihmë”, shtoi Ahmeti.

Komuna e Prishtinës njoftoi se në gjendje më të rëndë janë banorët e fshatrave të Gollakut, ndërsa në kryeqytet e dëmtuar mbetet lagjja e ‘Spitalit’.

Sa i përket liqenit të Batllavës, niveli i tij është rritur deri në 7 metra, gjatë reshjeve të pandërprera të këtyre ditëve.

Një tjetër komunë e rajonit te Prishtinës, që është përfshirë nga vërshimet është Podujeva. Edhe të dielën situata ne Podujeve nuk është qetësuar pavarësisht ndërprerjes së kohë pas kohëshme të rreshjeve.

Për shkak të gjendjes ujësjellësi rajonal Prishtina ka ndërprerë furnzimin me ujë të pijshëm për tërë territorin e Komunës së Podujevës. Si pasojë e vëllimit të madh të ujit është e rrezikuar ura mbi lumin Llap në fshatin Lupç. Uji ka vërshuar toka bujqësore, duke shkaktuar dëme të mëdha në bujqësi.

Top Channel