Qeveria e Kosovës ka miratuar pakon e ndryshimeve ligjore që i hap rrugë vazhdimit të misionit të EULEX-it edhe për dy vitet e ardhshme. Kabineti qeveritar ka miratuar ndryshimet e nevojshme në të gjitha ligjet e fushës së drejtësisë, ku duhet të parashihet roli dhe përgjegjësia e zyrtarëve të EULEX-it në institucionet e drejtësisë.

“Ligjet që do të ndryshohen janë: Ligji për prokurorinë Speciale të Kosovës, ligji për kompetencat për zgjedhjen dhe caktimin e lëndëve të gjyqtarëve dhe prokurorëve të EULEX-it, Kodi Penal i Kosovës, Kodi i Proçedurës Penale, ligji për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, ligji për Departamentin e Mjekësisë Ligjore, ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe Kodin Doganor dhe të akcizave”, ka deklaruar ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.

Sipas Kuçit, këto ndryshime në ligje janë bërë pas negociatave të bëra me Bashkimin Evropian. Pavarësisht ndryshimeve ligjore, Kuçi ka thënë se të gjitha institucionet e drejtësisë do të udhëhiqen nga vendorët.

“Po ashtu jemi pajtuar që panelet të jenë dy me një, në favor të gjyqtarëve vendorë për të gjitha rastet që do të shqyrtohen dhe po ashtu, nga data 15 prill e këtij viti nuk do të ketë raste që do t’i marrin prokurorët e EULEX-it pa autorizim të prokurorëve vendorë”, nënvizoi Kuçi.

Në këtë mbledhje qeveria ka vendosur që të falë borxhet ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës për 50 mijë familje që kanë jetuar në asistencë që nga viti 1999 e deri më 1 shkurt 2013, kur edhe u privatizua distribucioni i KEK-ut.

“Propozimi i KEK-ut është në linjë me politikat e qeverisë për të përkrahur kategoritë sociale dhe për të ofruar një mirëqenie më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Në këtë drejtim dëshiroj të theksoj që përmes vendimit të Bordit të KEK-ut, për faljen e borxheve për kategoritë sociale në mënyrë të drejtpërdrejtë, do të lirohen apo do të përkrahen rreth 200 mijë qytetarë të Kosovës, pra rreth 50 mijë familje”, ka deklaruar kryeministri Hashim Thaçi.

Ky vendim i qeverisë mbetet të realizohet nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe KEK-u, por vlera e borxheve të falura nuk dihet.

Top Channel