Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga Ambasada amerikane në Prishtinë si
dhe nga Departamenti i Shtetit në Uashington, që  të sqarojnë rolin e
ish-ambasadorit amerikan Christopher Dell, në kontratën për ndërtimin e
autostradës Prishtinë-Vermicë, e cila i kushtoi Kosovës mbi 800 milionë
euro.

Kërkesa e Vetëvendosjes u paraqit në seancën e Kuvendit, nga ana e deputetit Visar Ymeri, pas një artikulli të botuar në gazetën britanike “The Guardian”, e cila ka ngritur dyshime për ndërhyrjen që ka pasur Dell në kontratën mes qeverisë së Kosovës dhe “Bechtel”-it, në kohën që ai ishte ambasador në Kosovë.

“I bëj ftesë, nga kjo foltore, edhe kryeministrit të kësaj qeverie, që të tregojë se sa ka qenë roli dhe çka e detyroi qeverinë e Kosovës të nënshkruajë një kontratë të tillë, e cila po rezulton të jetë shumë e dëmshme për Kosovën, dhe po ashtu i bëj ftesë edhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës këtu, përmes Departamentit të Shtetit, që të merren më seriozisht me këtë punë dhe të na tregojnë se cili ka qenë roli i zotit Dell në këtë kontratë, dhe përgjithësisht në Kosovë, sepse e dimë se ndërhyrjet e tij në politikën e Kosovës kanë qenë të shumta. Pra, nëse ai ka pasur ndikim në nënshkrimin e kësaj kontrate nga pozicioni i zyrtar të Amerikës, atëherë ne duam të dimë se në çfarë baze dhe si e ka bërë këtë punë”, tha Visar Ymeri, deputet i VV.

Deputetët kosovarë kanë ngritur në seancë edhe disa tema të tjera, ku kanë kërkuar nga qeveria, që të ndërmarrë masa, sidomos në ngritjen e sigurisë në trafik, pasi në muajt e fundit janë shënuar shumë aksidente me pasoja fatale për këmbësorët. Në këtë seancë, Kuvendi ka miratuar në parim projektligjin për komisionerin e Kuvendit për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe për Policinë e Kosovës.

Top Channel