Brazil, kaos total në Bahia, policia në grevë

17/04/2014 00:00

Mijëra trupa federale janë dërguar në qytetin veri-lindor të Bahia-s në Brazil pasi policia ka hyrë në një grevë për rritjen e pagave.

Mungesa e policisë në këtë rajon ka shkaktuar një kaos të vërtet,
dyqanet janë plaçkitur dhe transporti publik është reduktuar ndjeshëm
pas sulmeve në disa autobusë.

Gjashtë prej ndeshjeve të Kupës së Botës janë planifikuar të zhvillohen në këtë qytet.  
 
Edhe gjatë vitit 2012 një grevë e ngjashme solli rritje të madhe të kriminalitetit, në atë kohë më shumë se 130 persona u vranë dhe 12 policë u arrestuan. Greva e vitit 2012 zgjati 12 ditë.

Policia ka nisur grevën mbrëmjes e së martës, pas dështimit të bisedimeve për të arritur një marrëveshje në lidhje me pagat më të larta dhe kushte më të mira.

“Nëse do të plotësohen kërkesat tona, atëherë ne rikthehemi menjëherë në punë”, ka thënë njëri prej policëve grevistë.

Ndërkohë në anën tjetër qeveria ka bërë të ditur se është duke bërë çdo gjë të mundshme për të përmbushur kërkesat e grevistëve.

“Së pari ne jemi të shqetësuar për sigurinë publike, gjithashtu ne synojmë që këtë problem ta zgjidhim me anë të marrëveshjeve”, deklaroi sekretari i sigurisë publike,  Mauricio Barbosa.

Bëhet e ditur se shumica e shkollave janë mbyllur dhe se shumica e shoferëve të autobusëve nuk dalin në punë nga frika e sulmeve.

Top Channel