Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti ka deklaruar se ai dhe partia e tij janë gjithmonë në krye të detyrës kur është në pyetje mbrojtja dhe avancimi i të drejtave të shqiptarëve.

Ahmeti, para banorëve të lagjes Hasanbeg të Shkupit, foli për kontributin e tij për çështjen kombëtare që në kohën e ish-Jugosllavisë, ndërsa nuk ngurroi të thoshte se ai ka qenë njeriu që ka shpërbërë këtë shtet.

“Ju sigurisht që e keni parë se kur duhet guximi dhe rebelimi, ne jemi aty. Sepse ne bëjmë edhe rolin e pozitës por edhe të opozitës. Le ta dijnë të gjithë politikanët shqiptarë dhe maqedonas, unë jam i kalitur si opozitar dhe kam përmbysur një Jugosllavi dhe kam shpërbërë një Jugosllavi. Për mua janë një kafshatë shumë e vogël ata që po përpiqen të dalin në sipërfaqe. Por unë dua që në këtë vend të shkrihen akujt mes komuniteteve dhe të mos shihemi si armiq”, deklaroi Ahmeti.

Por sipas kreut të PDSH-së opozitare, Menduh Thaçi, rivali i tij shqiptar është politikani që më së shumti po dëmton çështjen kombëtare. Thaçi, nga Debreshi i Gostivarit, tha se Ahmeti dhe partia e tij BDI, të dielën kanë shkelur të drejtat elemetare të shqiptarëve duke i kërcënuar ata për të mos dalë në votime.

“Ahmeti atë ditë ua mësoi maqedonasve rrugën se si të na kërcënojnë. Nëse ky e bën këtë, nesër mund ta bëjnë edhe maqedonasit. Të kërcënojnë se do të heqin njerëzit nga puna, do të ndalin ndihmën sociale, do të dërgojnë policinë nëse nuk voton për ata dhe ky është kërcënim real. Por më datë 27 do të nisemi ne dhe ata, do të nisemi drejt tyre dhe do t’u themi se nuk mund të tolerohet ky terror”, tha Thaçi.

Ndërkohë, në bllokun politik maqedonas, partia opozitare LSDM ka publikuar një skandal korruptiv për kryeministrin Nikolla Gruevski, të cilin e akuzon se ka marrë 1.5 milion euro kesh nga shitja e “Bankës Maqedonase”, duke iu shmangur edhe tatimit ndaj shtetit.

Kjo parti opozitare publikoi disa regjistrime audio nga një bisedë, për të cilën thotë se është zhvilluar mes një personi që negocionte me kryeministrin Gruevski dhe një biznismeni për shitjen e paligjshme të bankës.

Por, partia e Gruevskit, VMRO-DPMNE, një ditë më parë përmes një reagimi me shkrim i quajti shpifje akuzat e LSDM-së opozitare dhe ka paralajmëruar padi kundër kryetarit të kësaj partie, Zoran Zaev.

Top Channel