Ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson ka mbledhur të mërkurën liderët e partive politike, me të cilët ka diskutuar sërish për mundësitë e votimit të Gjykatës Speciale dhe mandatit të EULEX-it në Kuvend.

Sipas burimeve të portalit lajmi.net, në këtë takim është caktuar data e përafërt e votimit të mandatit të EULEX-it dhe Gjykatës Speciale, por jo edhe data e zgjedhjeve parlamentare.

“Asnjë prej liderëve nuk ka qenë i sigurt se votimi i mandatit të EULEX-it dhe ai për Gjykatën Speciale do të kalojë në Kuvend, prandaj nuk është folur për datën e zgjedhjeve”, ka thënë burimi.

Burimi, që ka preferuar të ruajë anonimatin, ka thënë gjithashtu se pa kaluar votimi për EULEX-in dhe për gjykatën nuk mund të caktohet data e zgjedhjeve.

Liderët kanë rënë dakord që Kryesia e Kuvendit të mblidhet të premten dhe të caktojë datën e seancës parlamentare ku do të votohet për dy çështjet që kanë të bëjnë me rendin dhe ligjin dhe krimet e supozuara të luftës, por është thënë se seanca nuk mund të mbahet përpara datës 23 prill.

“Së pari duhet të kryhet letërkëmbimi mes Presidencës së Kosovës dhe Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, të përgatitet ndryshimi i amendamenteve të mbi dhjetë ligjeve dhe më pas të caktohet seanca”, ka sqaruar burimi.

“Mirëpo, e gjithë kjo nuk do të jetë e qartë deri të premten, kur të mblidhet Kryesia e Kuvendit, e cila atë ditë do të caktojë datën e saktë të votimit”, vijuar ai.

Top Channel