E rrallë, i riu kërkon burgun

16/04/2014 00:00

Edi Flora është 23 vjeç. Paraditen e së mërkurës, duke pritur policinë që ta çonte nga gjykata e Tiranës në qeli, i telefonoi të dashurës për ta njoftuar për vendimin e pabesueshëm që kishte marrë.

Që nga momenti që u kap nga unformat blu duke drejtuar automjetin pa patentë, pavarësisht se gjykata i ofroi si alternativë dënimin me kusht, ai e refuzoi atë, çka solli një verdikt me 10 ditë heqje lirie.

Por çudia nuk përfundon këtu. Në pritje të policisë që ta dërgonte në qeli, Edi u interesua pranë prokurorisë që ajo të lëshonte urdhërin e ekzekutimit për ta dërguar në qeli.

Vendimin e tij ai s’ia tha askujt, as familjes. “E keni parasysh ç’do të thonë prindërit po t’i thuash do iki në burg. Kështu që u thash se do iki në punë”, tha Edi për mikrofonin e Top Channel.

Po përse ky 23-vjeçar e refuzoi dënimin me kusht? “Sepse lëviz jashtë shtetit, në Gjermani, Angli e vende të tjera. Nëse jam i liruar me kusht nuk lëviz dot”, tha ai.

Prokurori i çështjes, Naim Tota, vështirë se mund të ketë hasur gjatë këtyre 23 vjetëve në prokurori një shembull të tillë këmbënguljeje për t’i thënë burgut hapu e madje me buzë në gaz. Në rastin e Edi Florës, prokurori Tota e ndihmoi të akuzuarin duke njoftuar komisariatin në telefon.

Top Channel