Sistemi i drejtësisë në Kosovë

15/04/2014 00:00

Një sistem i dobët i drejtësisë në Kosovë është në intëres vetëm të skenës politike. Kjo dhe është arsyeja se përse që nga paslufta në Kosovë e deri më tani nuk janë krijuar mekanizma të qëndrueshëm të sistemit të drejtësisë, që duhet të ndëshkojnë çfarëdo shkelje të ligjit.

Këto vlerësime u nxorrën në një debat të organizuar nga “Forum 2015” në Prishtinë. Në të u theksua se përfaqësuesit politikë kanë ndikuar drejtpërdrejtë në punën e gjyqësorit por edhe mekanizmave të hetuesisë.

“Nëse flasim për dy elemente kryesore specifike që janë hetimi dhe gjykimi, hetimi në aspektin policor dhe prokurorial dhe gjykimi në të gjitha instancat e gjykimit, janë dy elemente komplekse dhe që i kanë problemet e veta të brendshme, në të cilat politika nuk duhet të ndërhyjë. Politika e vetme që mund të bëhet është krijimi i lehtësirave”, deklaroi Arben Gashi, deputet i LDK-së.

“Në Kosovë nuk janë krijuar mekanizma të qëndrueshëm të cilët e ndëshkojnë sjelljen e padrejtë, shkeljen e ligjit, pabarazinë, gabimin, zhvatjen e parasë publike, favorizimin për përfitime e kështu me radhë. Pra, dua të them se ndëshkueshmëria kurrë nuk është term neutral. Mosndëshkueshmëria gjithmonë është inkurajim. Duke mos e ndëshkuar një veprim të caktuar, bëhesh pjesë e inkurajimit të një veprimi të caktuar. Mosndëshkimi i krimit është trimërim, mosndëshkimi i korrupsionit është inkurajim i korrupsionit e kështu me radhë”, tha Glauk Konjufca, nga VV.

Por, Betim Musliu, nga Instituti për Drejtësi tha se barra i bie sistemit të drejtësisë, pasi sipas tij ai është sistem në të cilin duhet të adresohen të gjitha shkeljet e mundshme, të cilat më pas duhet të ndëshkohen.

“Askujt këtu, po më parë as politikës në Kosovë, nuk i ka leverdisur fare që të ketë sistem të fuqishëm të drejtësisë, që është funksional dhe sistem i cili e adreson si duhet cilëndo shkelje që ndodh. UNMIK-u në vazhdimësi bashkë me qeverisjen vendore e kanë anashkaluar sistemin e drejtësisë, e kanë lënë kështu siç është edhe sot dhe kjo i ka mundësuar politikës që në vazhdimësi të mos përmbahet me të gjitha shkeljet të cilat i ka bërë në vazhdimësi. Kjo ka qenë e qëllimshme dhe vazhdon të jetë e qëllimshme edhe sot”, deklaroi Musliu.

Në këtë debat u theksua se shkelja e ligjit, pabarazia, zhvatja e parasë publike, favorizimi për përfitime, etj, nuk janë ndëshkuar asnjëherë.

Top Channel