
Ndotja e ajrit në Kinë dhe në vend të tjera të Azisë ka një ndikim të drejtpërdrejtë në ndryshimet klimatike në të gjithë hemisferën veriore, sipas rezultateve të një studimi.
Studiuesit kanë zbuluar se forcimi i stuhive në Oqeanin Paqësor vjen si rezultat i ndotjes, duke ndikuar edhe në pjesë të tjera të botës. Më i theksuar ky fenomen është gjatë periudhës së dimrit.
Studimi është publikuar nga Akademia Kombëtare e Shkencave në Californi. Autori kryesor i studimit, Yuan Wang tha se efektet e ndotjes janë dramatike, ato ndikojnë në shtresën e reve dhe për pasojë në reshje të dendura.
Disa zona në Azi kanë nivelin më të lartë të ndotjes në të gjithë botën. Në Pekin dhe në Delhi të Indisë ndotja arrin në nivele rekord dhe mjaft të rrezikshme për shëndetin e banorëve që jetojnë në ato rajone, por deri tani nuk kishte prova nëse ajo kishte ndikim edhe më gjerë.
Disa studiues nga SHBA dhe Kina përdorën modele kompjuterike për të verifikuar efektin e ndotjes në sistemet e motit. Pas studimit rezultoi se grimcat e vogla të pluhurit, të cilat zhvendosen në Paqësor, bashkëveprojnë me pikëzat e ujit në ajër.
Top Channel