1 vit nga atentati në maratonën e Bostonit

15/04/2014 00:00

Ceremoni përkujtimore do të mbahen të martën në qytetin e Bostonit, në Shtetet e Bashkuara, për përvjetorin e atentatit me bombë në maratonën e vitit të kaluar.

Zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden dhe guvernatori i Masaçusetsit, Deval Patrick do të bëjnë homazhe rreth mesditës, me orën lokale, ndërsa më vonë do të mbahet një ceremoni me ngritjen e flamurit dhe një minutë heshtje.

Tre persona u vranë dhe rreth 260 të tjerë u plagosën kur dy bomba shpërthyen pranë vijës së finishit në maratonën e vitit të kaluar.

Në përkujtimet e së martës do të jenë të pranishëm të afërm të viktimave, si dhe pjesëtarë të ekipeve të emergjencës, agjencive qeveritare dhe organizatave civile.

Këtë vit maratona e Bostonit do të mbahet më 21 prill. Autoritetet kanë njoftuar banorët dhe vizitorët për një prani më të madhe të forcave të policisë përgjatë gjithë javës, derisa të mbahet ngjarja.

Sidoqoftë, kryetari i bashkisë së Bostonit, Martin Walsh, i cili do të jetë i pranishëm në ceremonitë e së martës, deklaroi se “maratona do të jetë ashtu sikurse ka qenë gjithmonë”. “Qëllimi ynë është që gjithkush të kënaqet në këtë eveniment”, tha ai.

Ndërkohë, autoritetet shëndetësore të qytetit deklarojnë se kanë bërë përgatitje për të ndihmuar personat e lënduar në atentatin e vitit të kaluar që të ndjekin përvjetorin.

Avioni, komplikohen kërkimet me nëndetëse

Kërkimet për avionin e zhdukur malajzian janë komplikuar edhe më tej pasi zona e kërkimit në jug të Oqeanit Indian ishte shumë e thellë për nëndetësen e vogël robotike.

Zyrtarët sqaruan se nëndetësja “Bluefin-21” tejkaloi kufirin e thellësisë operative prej 4 mijë e 500 metrash dhe sistemi i saj i sigurisë e detyroi atë të kthehej në sipërfaqe pas një misioni të shkurtër gjashtë-orësh.

Sipas Qendrës së Koordinimit të Përbashkët të Agjencive, autoritetet tani po nxjerrin dhe po analizojnë të dhënat e mbledhura nga pajisja nënujore dhe pritet ta rivendosin në funksionim atë në qoftë se përmirësohet moti më vonë.

Spektakël qiellor në Shtetet e Bashkuara

Amerikanët kishin rastin të ndiqnin një spektakël të rrallë qiellor: ndryshimin e ngjyrës së hënës nga e argjendtë në portokalli e së fundi të kuqërremtë, gjatë një eklipsi të plotë hënor.

Fenomeni i detyrohet rënies së hijes së plotë të Tokës mbi satelitin e vetëm natyror të saj. Më i qartë, eklipsi ishte në Amerikën e Veriut, atë Latine dhe në ishujt Karaibe, ndërsa Afrika e Jugut dhe Afrika veri-perëndimore nuk kishin mundësi tjetër veçse ta shihnin pjesërisht.

Tre eklipse të tjera do të ndodhin gjatë 2014-s: në 29 prill është eklipsi unazor i Diellit, në 8 tetor një eklips i plotë i Hënës dhe në 23 tetor do të ketë një eklips diellor të pjesshëm. 

Top Channel