Në Maqedoni sot u zhvillua raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale. Në garë janë 4 kandidatë, njëri prej tyre shqiptar.

Në balotazhin e pas dy javëve do shkojnë kandidatët që do të marrin më shumë vota sot, ndërsa në të njëjtën ditë do të votohet edhe për të zgjedhur Parlamentin e ri të Maqedonisë.

Nga Shkupi korespondenti i Top Channel, Rijad Murati ka raportuar se procesi i votimit është mbyllur normalisht rreth orës 19:00.

Nga të dhënat e para, në zgjedhje kanë dalë vetëm 41% e votuesve, që do të thotë se presidenti do të zgjidhet pas balotazhit, pasi pjesëmarrja ka qenë nën 51%.

Mjaft e ulët ka qenë edhe pjesëmarrja e shqiptarëve, e cila luhatet nga 15 deri në 17%.

Procesi i votimit ka qenë kryesisht i qetë, pa ndonjë ngjarje e cila mund të ndikonte në mbarëvajtjen e votimeve. 

Pas mesnate priten edhe rezultatet e para nga selitë e partive politike, ndërsa gjatë ditës së hënë ato do të publikohen edhe nga Komisioni Zgjedhor.

Për postin e presidentit të Maqedonisë garojnë katër kandidatë: Gjorgje Ivanov nga VMRO-DPMNE, Stevo Pendarovski nga LSDM, Iljaz Halimi nga PDSH dhe Zoran Popovski nga Opsioni Qytetar për Maqedoninë.

Partia shqiptare në pushtet BDI nuk merr pjesë me kandidat të vetin në këto zgjedhje.

Një ditë më parë kanë votuar të burgosurit, pjesëtarët e armatës dhe të sëmurët. Këto zgjedhje do të monitorohen nga mbi 8000 vëzhgues vendorë dhe 320 të huaj.
 

Top Channel