
Oferta e kryeministrit të përkohshëm të Ukrainës, Arseniy Yatsenyuk për t’i dhënë më shumë autonomi rajoneve lindore dhe jugore të vendit, nuk ka marrë një përgjigje të drejtpërdrejtë.
Por fill pas kësaj hapjeje të shefit të ekzekutivit ukrainas, tensionet në zonë njohën një tjetër përshkallëzim. Persona të armatosur mësynë një stacion policie në lindje të vendit.
Sipas autoriteteve, grupi ka qëlluar në ajër e ka përdorur bomba tymuese për të marrë nën kontroll godinën në qytetin e Slovianskut, pranë kufirit me Rusinë.
Ministri i Brendshëm ukrainas, Arsen Avakov i quajti agresorët “terroristë” dhe tha se forcat speciale do t’i kundërpërgjigjen këtij sulmi.
Aktivistë pro-Moskës kanë sulmuar ndërtesat administrative në të gjithë lindjen e Ukrainës këto ditët e fundit. Kievi është i bindur se trazirat orkestrohen nga Kremlini.
Në Donetskun e ndodhur 130 km larg Slovianskut, zyrat qeveritare mbahen të pushtuara prej një jave nga protestues që kërkojnë referendum për ndarjen nga Ukraina e bashkimin me Rusinë.
Protestat e kanë përçarë popullatën. Kryeministri Yatsenyuk nuk ka thënë se çfarë do të ndodhë nëse protestuesit hedhin poshtë ofertën e qeverisë. Deri tani nuk ka shenja shpresëdhënëse se tubuesit janë gati të largohen.
E gjithë kjo ndodh ndërkohë që njerëz nga të dyja anët e debatit shprehen se më pak se 100 km larg tyre, 40 mijë trupa ruse janë dislokuar pranë kufirit.
Kriza mes Rusisë dhe Ukrainës po shkakton gjithmonë e më shumë shqetësime, sidomos për pasojat e mundshme në ekonominë botërore.
Në ekspertizën e pranverës, ekspertët shohin rreziqe të mëdha nga një spirale sanksionesh të Perëndimit ndaj Moskës. Në rastin më të keq, kjo mund të çojë në ndërprerje të plotë të furnizimit me naftë dhe gaz nga Rusia.
Zëvendësimi i importeve të gazit rus me importe nga rajone të tjera, si Norvegjia, Algjeria ose Katari do të kërkonte vite dhe shumë investime për një infrastrukturë të përshtatshme.
Top Channel