Deputetëve aktualë të Parlamentit të Kosovës pritet t’u përfundojë mandati pas dy javësh. Menjëherë pas votimit pro formimit të Gjykatës Speciale dhe miratimit të ligjit për zgjedhjet, krerët e partive politike po planifikojnë mocionin për shpërndarjen e Parlamentit dhe me këtë rast do t’i hapet rrugë zgjedhjeve të reja parlamentare.

Për këtë kalendar zgjedhor javë më parë janë pajtuar edhe kryeministri Hashim Thaçi me liderin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Ky i fundit tani po kërkon që Parlamenti të shpërbëhet brenda dy javësh.

“Tani do angazhohemi që të merren vendimet për EULEX-in dhe Gjykatën Speciale dhe më pas të shkohet në shpërndarje me dy të tretat e Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Mustafa.

E gatshme për shpërbërje të Parlamentit dhe për zgjedhje të reja është edhe partia më e madhe në vend, PDK-ja. Nënkryetari i këtij subjekti, Memli Krasniqi ka thënë për Top Channel se janë të gatshëm të shpërndajnë Parlamentin dhe të shkojnë në zgjedhje në pjesën e parë të këtij viti.

“Ne si PDK jemi gati për zgjedhje në çdo kohë, por vendime të tilla duhet të merren në koordinim të plotë të spektrit politik. Ne jemi të gatshëm për vendime konsensuale”, ka deklaruar Krasniqi.

Megjithatë, Krasniqi ka thënë se për shpërndarjen e Parlamentit duhet të ndodhë një konsensus më i gjerë partiak dhe për këtë ai ka thënë se duhet të diskutohet dhe vendoset në ditët në vijim.

Nga ana tjetër, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj shprehet i habitur se pse LDK-ja po mbështet idenë për shpërndarjen e Parlamentit e nuk po mbështet mocionin e AAK-së për shkarkimin e qeverisë aktuale.

“Ka ndodhur një lojë me vetëveten, me ne, me opozitën në tërësi. S’ka pasur nevojë për marrëveshje me zotin Thaçi. Opozita ka pasur dhe e ka ende një mundësi që me një mocion ta shkarkojë këtë qeveri dhe të shkojë në zgjedhje me qeveri të shkarkuar”, ka thënë Haradinaj.

Megjithatë, partia e Haradinajt është e gatshme që të votojë pro shpërbërjes së Parlamentit, vetëm që vendi të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare.

Mocionin për shpërndarjen e Parlamentit pritet ta hartojnë në ditët e ardhshme shefat e grupeve parlamentare, ndërsa kundër tij deri tani është vetëm lëvizja Vetëvendosje. Pas shpërndarjes, Kosova pritet të mbajë zgjedhje brenda 45 ditëve.

Top Channel