Diplomati, Irani acarohet me SHBA

12/04/2014 00:00

Irani ka insistuar se nuk do ta zëvendësojë të dërguarin e tij në OKB dhe ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se është sjellë në mënyrë ilegale duke i refuzuar atij vizën.

Shtetet e Bashkuara e akuzojnë Hamid Aboutalebin për lidhje me grupin që mori peng ambasadën amerikane në Teheran në vitin 1979, një incident që acaroi marrëdhëniet mes dy vendeve.

Nga ana e tij, diplomati thotë se ai kishte vepruar vetëm si përkthyes i grupit. Ndërsa një zyrtar i hershëm iranian deklaroi se Teherani do ta ndjekë çështjen përmes mekanizmave ligjorë në Kombet e Bashkuara.

Javën e kaluar Kongresi miratoi një draft që do t’i lejojë administratës amerikane refuzimin e ambasadorëve të zgjedhur në rast se përbëjnë rrezik për sigurinë.

Ndërsa më herët gjatë kësaj jave, ministri i Jashtëm iranian, Javad Zarif dënoi këtë lëvizje të Uashingtonit. Ai i cilësoi kongresmenët në favor të draftit si “një grup radikalësh”, por tha se lëvizja nuk do të ndikojë në politikat e Teheranit.

Vendimi i Shtëpisë së Bardhë bie ndesh me ligjin ndërkombëtar, detyrimin e vendit pritës dhe të drejtën e trashëguar të vendeve sovrane për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në OKB”, deklaroi zyrtari iranian.

Edhe pse drafti kërkon edhe firmën e presidentit për t’u kthyer në ligj, Kongresi duket se ia ka arritur qëllimit përmes refuzimit të Aboutalebit.

Ndërkohë, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney deklaroi se presidenti ndan të njëjtin opinion me draftin dhe nuk do ta japë vizën për diplomatin iranian.

Top Channel