Venezuelë, bisedime president-opozitë

11/04/2014 00:00

Presidenti venezuelian Nicolas Maduro është takuar me liderët e opozitës
për të zhvilluar bisedime në përpjekje për të qetësuar situatën pas
javësh të tëra protesta.

Zoti Maduro hapi bisedimet duke shtrënguar duart me rivalin e tij politik, liderin e opozitës Henrique Capriles. Takimi i rrallë, i transmetuar live në televizion, u ndërmjetësua nga ministrat e Jashtëm të vendeve të Amerikës së Jugut.

Protestat nisën pas kuotave të larta të kriminalitetit që arritën kulmin në shkurt, por më pas u kthyen në manifestime më të gjera anti-qeveritare.

Rreth 40 persona janë vrarë që nga fillimi i tyre. Zoti Maduro, që thotë se protestat janë pjesë e një “komploti fashist” të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara kundër tij, tha gjatë takimit se nuk do të ketë marrëveshje me opozitën.

“Nuk ka negociata këtu, nuk ka pakte. Ajo të cilën po kërkojmë të gjithë është modeli i një bashkëjetese paqësore, ose tolerance reciproke”, deklaroi ai.

Ai tha se çdo lloj marrëveshjeje formale me opozitën do ta kthente atë në “tradhëtar të çavizmit”, platforma socialiste e parardhësit të tij Hugo Chavez.

Nga ana tjetër, Capriles, që u mund me një diferencë fare të vogël në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar, theksoi se opozita nuk dëshiron një grusht shteti ndaj qeverisë.

Bisedimet zgjatën gjashtë orë, ndërkohë që të martën e ardhshme do të zhvillohet një tjetër takim. Edhe Papa Françesku dërgoi një letër ku shprehte mbështetjen e tij për bisedimet.

Top Channel