
Shtëpia e Bardhë ka refuzuar t’i lëshojë një vizë amerikane ambasadorit të caktuar nga Irani për në OKB, i cili është i përfshirë në pengmarrjen e Ambasadës amerikane në vitin 1979. Vendimi në fjalë bllokon Hamid Aboutalebi të marrë rolin e tij në Kombet e Bashkuara, selia e së cilës gjendet në New York.
Aboutalebi është i lidhur me një grup studentësh, të cilët morën peng me dhjetra persona në Ambasadën amerikane në Teheran në vitin e largët ’79.
Presidenti Barack Obama është vënë nën presion të madh nga Kongresi amerikan, për të mos e lejuar atë të hyjë në vend.
Më herët, gjatë kësaj jave, Shtëpia e Bardhë tha për qeverinë iraniane se zgjedhja prej tyre i një ish-studenti revolucionar për t’u bërë ambasador në OKB ishte “i pazbatueshëm”.
Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati votuan për të bllokuar Aboutalebi-n të sigurojë hyrjen në SHBA.
Irani ka deklaruar se Aboutalebi është një prej diplomatëve më me eksperiencë që ka vendi i tyre, ndaj dhe nuk ka ndërmend ta ndryshojë kandidaturën.
Në një intervistë për një media iraniane, Aboutalebi ka thënë se nuk ka qenë pjesë e grupit, që sulmoi Ambasadën amerikane, e që më vonë iu kërkua të përkthente për studentët. 52 amerikanë u mbajtën për 444 ditë gjatë atij momenti krize.
Besohet se Shtetet e Bashkuara nuk i kanë ndaluar asnjëherë më parë një vizë hyrjeje ndaj një ambasadori të OKB-së, ndaj dhe sipas korrespondentëve ky veprim ka shkaktuar shqetësim mes diplomatëve se mund të shërbejë si precedent në të ardhmen.
Top Channel