SHBA, dorëhiqet sekretarja e Shëndetësisë

11/04/2014 00:00

Sekretarja amerikane e Shëndetësisë, Kathleen Sebelius ka dhënë dorëheqjen nga posti pas problematikës së verifikuar me lançimin e reformës shëndetësore të presidentit Barack Obama.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat amerikane, sipas të cilave, reforma, e konsideruar nga mbështetësit e presidentit si një nga arritjet kryesore të tij të brendshme, është shoqëruar me probleme teknike dhe vonesa që në fillimet e saj.

Zonja Sebelius ka qenë sekretare e Shëndetësisë që kur presidenti Obama mori zyrën në vitin 2009. Mediat amerikane sugjerojnë se shefi i Shtëpisë së Bardhë do të emërojë Sylvia Mathews Burwell, aktualisht përgjegjëse për buxhetin, për ta zëvendësuar.

Zonja Sebelius e kishte marrë më parë vendimin për t’u dorëhequr, raporton “New York Times”, por Obama i kishte bërë rezistencë kërkesës së saj pasi faqet e internetit ku njerëzit mund të regjistroheshin për problemet shëndetësore hasi një sërë problemesh në tetor.

Pas fillimit të ngurtë, Shtëpia e Bardhë tani shënon mbi 7 milionë persona që janë regjistruar për mbulim nga siguracionet në faqet e internetit të menaxhuara nga qeveria, në kuadër të Affordable Care Act.

Vetë zoti Obama deklaron se “programi do të vazhdojë”. Ndërsa republikanët e shohin si të papërshtatshme ndërhyrjen e qeverisë në industrinë e kujdesit shëndetësor.

Shtetasit amerikanë do të përballen me një taksë ndëshkuese vitin e ardhshëm nëse nuk do të kenë një formë të sigurimit shëndetësor. Ligji i vitit 2010 synon të zgjerojë hartën e sigurimit shëndetësor tek 48 milionë amerikanë që nuk e marrin atë përmes punëdhënësve të tyre si qeveria apo sektori privat.

Top Channel