Kievi bën lëshime për pro-rusët

11/04/2014 00:00

Kryeministri i përkohshëm i Ukrainës, Arseniy Yatsenyuk, u shpreh i gatshëm t’i delegojë më shumë pushtet rajoneve lindore, ku separatistët pro-rusë jane duke sfiduar qeverinë e Kievit me kërkesat për referendume të tipit të Krimesë.

Arseniy Yatsenyuk është duke zhvilluar bisedime me krerët rajonalë të Donjeckut, ku aktivistët këmbëngulin për vetëqeverisje dhe vazhdojnë të mbajnë të bllokuar godinën kryesore të zyrave qeveritare. Për momentin nuk është e qartë, nëse oferta e Yatsenyuk do t’i kënaqë mbështetësit e Moskës.

“Ne e bëmë ofertën tonë. Tani i takon atyre të vendosin. Liderët rajonalë duhet të sqarojnë banorët, se qeveria është e angazhuar të garantojë siguri dhe progres ekonomik në Lindje”, tha Yatsenyuk. “Brenda kornizës së ndryshimeve kushtetuese, ne do të jemi në gjendje të përmbushim kërkesat e çdo rajoni”, shtoi më tej ai.

Por, Kievi i kundërshton pretendimet e Moskës për kthimin e Ukrainës në federatë shtetesh të lira, me frikën se të tjera rajone do të shkëputeshin prej saj, për t’iu bashkuar Rusisë. Protestat separatiste pasuan aneksimin e Krimesë, muajin që shkoi, i përshkruar si konfrontimi më i madh politik në Europë, që prej Luftës së Ftohtë.

Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për çtensionim të situatës, kriza e Ukrainës nuk duket t’i jetë afruar fundit. Presidenti amerikan Barack Obama po i përgatit partnerët perëndimorë për sanksione të reja kundër Rusisë.

Gjatë një telefonate me kancelaren Angela Merkel, Obama – sipas të dhënave nga Shtëpia e Bardhë, – theksoi, se SHBA-të, BE-ja dhe partnerë të tjerë globalë, duhet të jenë të përgatitur për masa suplementare ndëshkuese ndaj Moskës, ndërsa pushtimin e godinave të administratës në Lindje dhe në Jug të Ukrainës e cilësoi një “fushatë të orkestruar nxitjeje dhe sabotazhi”, përmes së cilës synohet destabilizimi i këtij shteti.

Pasi publikoi imazhe satelitore, që tregojnë forcat ruse të pozicionuara përgjatë kufirit me Ukrainën, NATO sërish e paralajmëroi Rusinë të mos tentojë ndonjë aksion ushtarak. Kërcënimi i Moskës, nga ana tjetër, për ndërprerjen e furnizimeve, ka shtyrë Kievin të kërkojë gaz natyror nga firmat franceze dhe ato gjermane.

Top Channel