
Izraeli ka vendosur sanksione ndaj Autoritetit Palestinez si
kundërpërgjigje ndaj nënshkrimit të një numri traktatesh ndërkombëtare,
njoftuan autoritetet.
Sipas burimeve zyrtare, taksat e mbledhura për llogari të AP do të ngrinë dhe do të kufizohet aksesi në depozitat bankare palestineze në Izrael.
Kryenegociatori palestinez, Saeb Erekat dënoi lëvizjen duke e cilësuar atë “një pengmarrje dhe vjedhje të Izraelit”. “Është një vjedhje e parave të popullit palestinez. Është një shkelje e ligjit dhe normave ndërkombëtare nga Izraeli”, deklaroi Erekat.
Autoritetet izraelite deklaruan se pagesa e borxheve do të mbahet nga transferimi i taksave që i dërgohen rregullisht Palestinës.
Izraeli mbledh taksat në interes të palestinezëve dhe transferon rreth 100 milionë dollarë në muaj, duke përbërë dy të tretat e buxhetit palestinez.
Ende nuk është e qartë se sa para do të mbahen dhe për sa kohë. Izraeli deklaroi gjithashtu se do të ndërpresë pjesëmarrjen e tij në kërkimet për gaz në brigjet e Rripit të Gazës.
Bëhet fjalë për të fundit ndër masat e marra nga të dyja palët, që kanë vështirësuar procesin e paqes të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara.
Izraeli deklaron se lëvizja e Autoritetit Palestinez për të nënshkruar traktatet është shkelje e angazhimeve të marra përsipër para se negociatat të rifillonin në korrikun e kaluar, pas tre vitesh ngërç.
Ndërkohë, Departamenti amerikan i Shtetit konfirmoi përmes zëdhënëses Jen Psaki mbajtjen e një raundi të ri bisedimesh mes palëve ditën e enjte. Ajo deklaroi se ndasitë mes dy palëve janë zvogëluar, por hodhi poshtë zërat për një marrëveshje të arritur.
Top Channel