Irak, zv/kryeministri i shpëton atentatit

11/04/2014 00:00

Zv/kryeministri irakian i ka mbijetuar një tentative vrasjeje në Perëndim të Bagdadit, bën të ditur zyra e tij. Militantë të veshur si ushtarë hapën zjarr ndaj një autokolone, që transportonte Saleh al-Mutlaq si dhe zyrtarë të tjerë, duke shkaktuar një shkëmbim-zjarri.

Një prej rojeve të sigurisë është vrarë dhe 3 të tjerë janë plagosur, bëri të ditur një burim i sigurisë për BBC. Sulmi vjen 3 javë përpara se irakianët t’u drejtohen kutive të votimit për zgjedhjet parlamentare.

Partia e Mutlaq kishte qenë duke inspektuar dëmet e një përmbytjeje, pasi një grup i al-Qaeda-s mbylli një digë pranë Fallujah. Asnjë grup nuk ka marrë përsipër sulmin.

Militantët islamikë në Irak kanë shënjestruar shpesh herë zyrtarët, në përpjekje për të minuar besimin në qeverinë e kryesuar nga kryeministri Nouri al-Maliki, pjesë e komunitetit shiit.

Politikani sunit, Talal al-Zobaie, tha se kishte qenë duke e shoqëruar zv/kryeministrin, gjithashtu një sunit, si dhe disa zyrtarë të tjerë qeveritarë, për një vizitë në fshatrat e zonës Abu Ghraib, në momentin e ngjarjes.

Pas shkëmbim-zjarrit, agresorët u larguan me shpejtësi nga vendi. Si Zobaie, ashtu dhe Mutlaq, kanë bërë thirrje në të kaluarën ndaj politikanëve irakianë të lënë pas krahëve diferencat e tyre etnike dhe fetare, si dhe të fokusoheshin në mbrojtjen e kombit.

Gjithashtu, të premten, një bombë në anë të rrugës goditi një minibus jashtë qytetit verior të Mosul-it, duke vrarë një civil dhe duke plagosur 6 të tjerë.

Zgjedhjet në fund të muajit Prill do të jenë të parat, që prej tërheqjes së trupave luftarake të SHBA-ve në vitin 2011. Më shumë se 9000 kandidatë do të garojnë për 328 vendet e Parlamentit, por nuk do të ketë votime në disa pjesë të provincës së dominuar nga sunitët, Anbar, ku forcat e sigurisë luftojnë ende islamikët dhe militantët fisnorë, për kontrollin e kryeqytetit të provincës, Ramadi, dhe një pjese të Fallujah.

Top Channel