Kuvendi do të marrë vendim për formimin e Tribunalit për krime lufte brenda Kosovës. Presidentja kosovare Atifete Jahjaga takoi të gjithë liderët e partive politike, këtë të premte. Tema diskutimi ishin çështjet për krijimin e Gjykatës speciale për krime lufte, si dhe transformimi i misionit të EULEX-it.

Takimi i presidentes me kryeministrin dhe kryetarin e LDK-së është zhvilluar larg syve të medias. Por, presidentja tha se liderët tashmë janë pajtuar për krijimin e gjykatës speciale për krime lufte, po ashtu është marrë edhe pëlqimi i tyre që baroneshës Ashton t’i kërkohet vazhdimi i mandatit të EULEX-it deri në vitin 2016.

“Lejimi i gjykatës së veçantë reflekton angazhimin e Kosovës për një proces të pavarur dhe të paanshëm për t’u marrë me këto akuza në mënyrë të besueshme”, theksoi presidentja e Kosovës, Jahjaga.

Kundër kësaj çështjeje është shprehur lideri i VV-së, Albin Kurti. Ai, pas takimit, ka kërkuar që të ketë një Tribunal për Serbinë për krimet që ka bërë në Kosovë, duke thënë se Tribunali për krime lufte do të dëmtojë rëndë imazhin e Kosovës.

“Përdorimi i fjalës Kosovë në të njëjtat fjali me fjalët krim, krim lufte, krim kundër njerëzimit, trafikim organesh, që proliferohet pafundësisht dhe globalisht, do të jetë tepër i dëmshëm për imazhin dhe reputacionin e Kosovës në botë”, u shpreh Albin Kurti, lider i VV.

Kurti nuk beson se Këshilli i Sigurimit do të marrë vendim për themelimin e Tribunalit, por kjo çështje – sipas tij – do të vendoset javën e ardhshme në Kuvendin e Kosovës. Ai, gjithashtu, tha se është kundër zgjatjes ose rinovimit të misionit të EULEX-it, duke shtuar se EULEX-i asnjëherë nuk raportoi për punën që ka bërë Kosova.

Ndryshe nga Kurti, kryetari i AKR-së Behxhet Pacolli vlerëson se formimi i Tribunalit nga Kuvendi është më pak i dhimbshëm se sa nëse kjo do të imponohet nga OKB.

“Unë besoj se është më pak e dhimbshme ta kërkojmë dhe ta miratojmë vet, ndaj dhe AKR do të jetë konstruktive në këtë drejtim”, deklaroi Behxhet Pacolli, kryetar i AKR-së.

“Ia konfirmova presidentes Jahjaga që ne, si përfaqësues të serbëve, do të mbështesim qëndrimin e shumicës në Kuvend dhe besojmë që Tribunali do të shërbejë në të mirë të të gjithë qytetarëve që jetojnë në Kosovë”, tha Slobodan Petroviç, kryetar i SLS.

Në takimin me presidenten Jahjaga ka munguar vetëm lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Faktori ndërkombëtar tashmë i ka vënë kushte Kosovës të aprovojë krijimin e gjykatës speciale, para se vendi të shkojë në zgjedhje. Komisioni Europian pritet të aprovojë kërkesën për vazhdimin e misionit të EULEX, ndërkohë Gjykata speciale për gjykimin e krimeve të luftës thuhet se do të ketë fokus kryesor krimet e supozuara të UÇK-së gjatë luftës së fundit dhe që pritet të marrë dritën jeshile nga Kuvendi.

Top Channel