Liderët e partive politike të Kosovës do të priten të premten në një
takim nga presidentja Atifete Jahjaga, me të cilën do të bisedojnë mbi
krijimin e Gjykatës Speciale.

Sipas raportimeve të “RTK”, në fokus të dialogut, përveç gjykatës që do të hetojë krimet e supozuara të UÇK-së, do jetë edhe çështja e mandatit të misionit EULEX.

Këshilltari i presidentes Jahjaga, Arbër Vllahiu ka deklaruar se Presidenca ua ka dërguar tashmë ftesat të gjithë kryetarëve të partive.

“Ne kemi dërguar ftesa për të gjithë liderët politikë, me të cilët presidentja do të diskutojë këtë dokument, i cili do të dërgohet më pas në Bruksel”, ka thënë Vllahiu.

Sipas Vllahiut, letra përmban tri elemente: çështja e transformimit të EULEX-it, çështja e krijimit të gjykatës dhe disa çështje të tjera të cilat kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe drejtësisë në Kosovë.

Pjesëmarrjen e ka konfirmuar edhe lideri i lëvizjes Vetëvendosje, e cila kundërshton më shumë nga të gjithë gjykatën, Albin Kurti.

Miratimi i vendimit për krijimin e Gjykatës Speciale po i kërkohet Kosovës në masë nga faktori ndërkombëtar, përfshirë Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat argumentojnë se proceset e saj do të heqin dilemat për krimet e supozuara të UÇK-së, të përmendura nga senatori zviceran Dick Marty.

Nga ana e saj, Prishtina zyrtare nuk ka shumë zgjidhje: ose do ta miratojë me vullnetin e saj në Parlament, ose do ta miratojë Këshilli i Sigurimit i OKB-së dhe do t’ia imponojë.

Top Channel