Ekuador, referendum për parkun Yasuni

11/04/2014 00:00

Ambientalistët në Ekuador shprehen se kanë mbledhur mjaftueshëm firma për të zhvilluar një referendum, i cili do të vendoste nëse do të vazhdonin kërkimet për naftë në Parkun Kombëtarë Yasuni në Amazon.

Pretendohet se mbi 700 mijë persona kanë nënshkruar peticionin për të pasur një votim në lidhje me këtë çështje.

Presidenti Rafael Correa ka premtuar se çdo e ardhur nga nafta do të përdoret për zbutur varfërinë, por kritikët shprehen se një nga zonat me biodiversitet më të madh në botë do të dëmtohet.

Yasunidos, një organizatë e grupeve mjedisor mblodhi nënshkrimet për referendumin. “Me këto firma besojmë se do të bëjmë të mundur zhvillimin e referendumit dhe më pas ndalimin e shkatërrimit të parkut”, tha një prej përfaqësuesve të organizatës.

Peticioni është nënshkruar jo vetëm nga shtetas ekuadorian, por edhe nga disa vende të ndryshme të botës, si Australia Meksika dhe nga shtete europiane. Megjithatë mbajtja e referendumit duhet të miratohet nga autoritetet ekuadoriane zgjedhore.

Në parkun Yasuni rritet një shumëllojshmëri kafshësh të egra, duke përfshirë edhe lloje unike të tyre.

Top Channel