
Trazirat dhe mosmarrëveshjet kanë shpërthyer anembanë Egjiptit, të premten, teksa autoritetet kanë vrarë 2 anëtarë të Vllazërisë Muslimane gjatë një shkëmbim-zjarri, si dhe janë përplasur me protestuesit në disa qytete.
Forcat egjiptiane të sigurisë vranë anëtarët e Vllazërisë gjatë një përleshjeje në Deltën e Nilit, në veri të Kajros, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve MENA, të premten.
Disa njerëz u përpoqën t’i vinin zjarrin një pike kontrolli trafiku, si dhe hapën zjarr ndaj rojeve policore në një autostradë që lidhje qytetet e Tanta-s dhe al-Mahalla al-Kubra, në krahinën veriore të Gharbiya-s, njoftoi MENA. Një agresor është arrestuar, ndërsa të tjerët kanë mundur të arratisen, thuhej në raportim.
Policia egjiptiane shpërndau protestuesit e organizuar nga mbështetësit e ish-presidentit Mohamed Morsy, në disa qytete, duke arrestuar një numër të konsiderueshëm prej tyre.
Në Fayoum, policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë demonstratën. Zyrtarë policorë thanë se kishin arrestuar 5 protestues, përfshi një student, si dhe kishin konfiskuar një armë. 7 persona ishin plagosur.
Policia shpërndau protestat edhe në Damietta, duke arrestuar 4 persona. Sipas saj, atyre iu konfiskuan thika dhe imazhe të një “simboli me 4 gishta”, që i referohet imazhit me dorë të verdhë të përdorur nga mbështetësit e Morsy-t.
Top Channel