
Presidenti në detyrë i Ukrainës, Oleksandr Turchynov, po premton amnisti për demonstruesit pro-rusë, nëse ata heqin dorë nga armët dhe largohen nga godinat qeveritare, nën rrethim në dy qytete lindore.
Njoftimi i zotit Turchynov vjen një ditë, para një afati që ka vendosur Ukraina për tërheqjen e demonstruesve përmes negociatave ose përmes forcës, në Luhansk dhe Donetsk, pranë kufirit me Rusinë.
Separatistët pro-Rusisë, që janë strehuar në godinën shtetërore të sigurisë në qytetin e Luhanskit, thonë se qeveria ukrainase po përpiqet që të dobësojë përpjekjet e tyre për të bërë një referendum për Pavarësinë nga Kievi.
“Autoritetet po përpiqen të na diskreditojnë dhe të na bëjnë t’i kthejmë armët kundër njëri-tjetrit. Ata po përpiqen t’i shtyjnë të rinjtë tanë, që kanë shërbyer apo nuk kanë shërbyer në ushtri, që të rrokin armët dhe të shkojnë në kufirin me Rusinë. Ne nuk duhet t’i lejojmë ata ta bëjnë një gjë të tillë”.
Protestuesit kanë pasur bisedime me zyrtarë të Ukrainës për zbutjen e tensioneve, bisedime të cilat po ndiqen me kujdes nga Uashingtoni.
Diplomatja amerikane Victoria Nuland i tha një komisioni të Kongresit amerikan, të mërkurën, se kishte të dhëna për përfshirje ruse në marrjen nën kontroll të ndërtesave dhe paralajmëroi për pasoja, nëse “veprimet e tyre agresive” nuk marrin përgjigje.
“Ngjarjet në Ukrainë janë një këmbanë alarmi për të gjithë ne. Gjithçka që ne kemi mbrojtur për mbi 40 vjet, si komunitet vendesh të lira, rrezikohet nëse lejojmë mosndëshkimin e veprimeve agresive”, tha Nuland.
Zonja Nuland u tha gjithashtu ligjvënësve, se diplomatët amerikanë nuk kanë shpresa të mëdha për bisedimet e javës së ardhshme me diplomatë të lartë nga Ukraina, Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian.
Ndërkohë, Ministria e Jashtme ruse u përpoq përsëri, që të mos i jepte shumë rëndësi grumbullimit të trupave, duke thënë se forcat ruse nuk kanë ndërmarrë ndonjë aktivitet të pazakontë në rajonet e kufirit.
Ku janë instaluar trupat ruse
Fotot satelitore që tregojnë praninë e forcave speciale elitë
Ukraina ka akuzuar Rusinë për organizimin e trazirave në territorin e saj, akuzë të cilën Moska vazhdimisht e mohon. Nga ana tjetër, NATO deklaron se të paktën 40 mijë trupa ruse janë vendosur pranë kufirit me Ukrainën.
Kievi zyrtar druhet se veprimet e separatistëve rusë janë një provokim i ngjashëm me protestat që sollën shkëputjen e Krimesë disa ditë pasi trupat ruse aneksuan gadishullin, muajin e kaluar.
Separatistët në zonat lindore, që janë kryesisht rajone rusisht-folëse dhe me lidhje të ngushta me Moskën, po kërkojnë mbajtjen e referendumeve për vetëqeverisje. Në Donetsk ata kanë shpallur tashmë atë që e quajnë “republika e popullit”.
Ndërkohë, pamje të shumta satelitore nga kufiri Rusi-Ukrainë janë publikuar së fundmi nga Shtabi Suprem i Fuqive Evropiane, të cilat sugjerojnë një prani të theksuar të trupave ruse.
Një foto e realizuar më 22 mars 2014 tregon forcat speciale elitë Spetznaz të vendosura në Jejsk, në jug të Rusisë, në afërsi me kufirin.
Një tjetër foto, e realizuar më 27 mars, tregon një batalion rus artilierish në bazën ushtarake pranë lokalitetit Nonoçerkask, në lindje të Detit të Azovit, në jug të Rusisë.
Ndërsa një foto tjetër, edhe ajo e realizuar më 27 mars, në pamje të parë tregon praninë e tankeve ruse në një bazë në afërsi të lokalitetit Kuzminka.
Në Kiev, autoritetet deklaruan të enjten se shteti ukrainas nuk do t’i ndjekë penalisht aktivistët pro-rusë që kanë marrë nën kontroll ndërtesat qeveritare në qytetet Donetsk dhe Luhansk, nëse ata zgjedhin të ulin armët e tyre.
Top Channel