Serbia ka lidhur aleancë edhe me një ish-politikan të rëndësishëm. Gerhard Schroeder, ish-kancelari gjerman, pas disa takimeve me kryeministrin e ardhshëm serb, Alleksandar Vuçiç ka arritur në Serbi, ku ka hapur punimet e forumit serbo-gjerman. Ai tha se Serbia, nëse ndjek me përkushtim reformat do të jetë në gjendje të integrohet deri në vitin 2020.

“Shumë çështje mes Beogradit dhe Prishtinës kanë ngelur ende të pa zgjidhura, por jam i sigurt se ato mund të zgjidhen dhe do të zgjidhen. Ajo që është e sigurt është se Serbia tani është një faktor konstruktiv në rajon dhe faktor stabiliteti”, deklaroi Schroeder.

Gjermania ka qenë kritike e rreptë ndaj Beogradit zyrtar dhe ka kërkuar pushimin e funksionimit të institucioneve paralele në Kosovë, por edhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura. Politikanët gjermanë kanë qenë shpesh çelës dhe bllokues të proceseve në Serbi.

“Serbia nuk do të frikësohet të jetë mike e Gjermanisë. E kjo nënkupton të përmbushë detyrimet e saj të vështira, detyrimet e politikës së jashtme e të brendshme dhe të bëjë reformat më të rënda ekonomike që s’janë bërë prej 30 vjetësh”, deklaroi nga ana tjetër Vuçiç.

Nuk dihet ende se cili do të jetë angazhimi i Schroeder për Serbinë dhe nëse do të ketë një të tillë. Por, më parë në qeverinë serbe si këshilltar janë emruar figura të njohura si ish-shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar Straus Khan, ish-shefi i diplomacisë italiane Franco Frattini dhe ish-kancelari austriak Alfred Guzenbauer.

Top Channel