Shitja e borxheve afatgjata nga qeveria greke në tregjet financiare ka qenë tetë herë më e lartë nga vlerësimi fillestar, ka bërë të ditur qeveria helene.

Numri dy i qeverisë greke, Evangelos Venizelos deklaroi se kërkesa për bonde 5-vjeçare me vlerë 3 miliardë euro tregoi se borxhi i vendit është i përballueshëm.

Shitja tërhoqi interesat e 550 investitorëve. Greqia po rikthehet kështu në tregjet financiare, për herë të parë që nga falimentimi i ekonomisë së saj në vitin 2010.

Qeveria helene kishte caktuar si çmim fillestar për bondet një rikthim në interesa në kuotat 5 dhe 5.25 për qind.

Por me urdhër të investitorëve, që në tërësi menaxhonin një vlerë prej 20 miliardë eurosh, u bë e mundur që norma të ulej në 4.95 për qind, shumë më pak nga sa kishin parashikuar analistët.

Megjithatë, vendi ka ende një kuotë krediti “mbeturinë”, nëntë gradë nën kuotën e investimit prej CAA3, vlerësuar nga agjencia e kreditimit “Moody’s”. Ndërsa “Standard and Poor’s” dhe “Fitch” e rendisin Greqinë 9 gradë poshtë kuotës B-.

Greqia kishte mbetur jashtë tregjeve financiare për shkak të kostos së lartë të borxhit që prej vitit 2010. Shitja e bondeve vjen thuajse katër vjet nga dita kur qeveria tha se nuk mund të financonte më vetëveten.

Vendi mori një ndihmë ndërkombëtare nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Qendrore Evropiane dhe Bashkimi Evropian, si dhe një ndihmë tjetër dy vjet më vonë, përveç huave prej 240 miliardë eurosh.

Top Channel