
Koha po ikën shumë shpejt për Sirinë, që të dorëzojë të gjithë stoqet e armëve të saj kimike, bën të ditur trupa ndërkombëtare, që ka marrë përsipër shkatërrimin e tyre.
Siria premtoi se do të dorëzonte rezervat e mbetura të përbërësve të armëve kimike deri më 27 Prill. OKB, nga ana tjetër, ka përcaktuar 30 Qershorin si afatin përfundimtar të shkatërrimit të plotë të tyre, në një proces që do të duhet të marrë rreth 60 ditë.
Rusia ndërmjetësoi marrëveshjen mes Sirisë dhe OKB-së, vitin e kaluar, që shmangu sulmet ushtarake me raketa nga Shtetet e Bashkuara.
Kriza u përshkallëzua pas një sulmi masiv me lëndë kimike në fshatrat siriane të Bagdadit, më 21 Gusht, për të cilin shumica e shteteve fajësoi forcat qeveritare, ndërsa Siria dhe aleatët e saj ua hodhën fajin rebelëve për përdorimin e tyre.
Duke folur nga bordi i anijes amerikane “Cape Ray”, anije tregtare e adaptuar enkas për neutralizimin e lëndëve kimike në det të hapur, një zëdhënës i Organizatës për Parandalimin e Armëve Kimike (OPCW) tha se Siria duhet t’i dorëzojë të gjitha stoqet e mbetura brenda 17 ditësh, nëse do të dojë të mos shkelë afatet.
Këtë javë, OPCW bëri të ditur se ka marrë vetëm 54% të 1200 ton armë kimike të deklaruara prej Sirisë, si dhe vetëm 43% të materialeve të “prioritetit të parë”, apo ato që janë tepër toksike, e që dërgohen në një plantancion procesimi komercial.
Këto shifra nënkuptojnë se rreth 552 ton armësh kimike janë ende në territorin sirian, në pritje për t’u transportuar nga autokolonat e armatosura drejt portit të Latakias.
OPCW ka dy anije, një daneze dhe një norvegjeze, jashtë ujrave territorialë të Sirisë në pritje për të shkuar në Latakia dhe për të ngarkuar pjesën e mbetur të arsenalit kimik. Menjëherë sapo të arrijë kapacitetin maksimal, anija norvegjeze – me ngarkesën e saj më pak toksike – do të niset nga Latakia drejt e në objektet e deponimit komercial, në Finlandë dhe Teksas.
Anija daneze, “Ark Futura”, do të lundrojë drejt terminalit të portit Gioia Tauro në jug të Italisë, ku do të kalojë më pas ngarkesën e saj tek anija amerikane “Cape Ray”, e adaptuar për 35 mijë ton ngarkesë, një proces që pritet të zgjasë rreth 48 orë vetëm për transferimin e 560 ton lëndësh kimike tepër të rrezikshme, përfshi 21 ton gazi mustard, i cili ishte i vetmi gaz i gatshëm për luftë mes arsenalit sirian. Më pas, anija daneze do t’i drejtohet portit “Ellesmere” në Britani, për të shkarkuar 150 ton lëndë kimike më pak toksike, për shkatërrim.
Procesi më i vështirë do t’i mbetet “Cape Ray”, që do të ndërmarrë atë që nuk e ka bërë kurrë më parë: neutralizimin e pjesës më të madhe të gazit vdekjeprurës, në arsenalin e një vendi, si dhe të komponentëve të tij në det të hapur.
Top Channel