Me skandalet politike që ndjekin njëri-tjetrin, pranimi i Turqisë në Bashkimin Europian po del gjithmonë e më shumë nga fokusi.
Prej muajsh, vendi përballet me njërën prej krizave më të mëdha te politikës së brendshme, që nisi me protestat e parkut ‘Gezi’, për të përfunduar te skandali i korrupsionit në radhët e anëtarëve të ekzekutivit.
Bllokimi i “YouTube” dhe “Twitter-it” ishte edhe ai një grusht i fortë për reputacionin e Turqisë nëpër botë, e sidomos në BE.
Por pavarësisht skandaleve, Partia Islamike Konservatore, AKP siguroi 45 % të votave në zgjedhjet lokale.
Në dritën e zhvillimeve të fundit, blloku europian i lëshoi një apel vendit kandidat: “Për shkak te zhvillimeve alarmante të tre muajve të fundit, Turqia duhet te vazhdojmë me reformat për te arritur standardet e BE,” tha një zëdhënëse e Komisionit Evropian.
Erdogan reagoi me indiference ndaj këtyre paralajmërimeve, duke arsyetuar se kriza financiare globale, ‘pranvera arabe’ dhe zhvillimet ne Siri dhe Egjipt, tregojnë qe BE-ja ka me tepër nevoje për Turqinë, se sa Turqia për BE-në.
Turqia është qe prej vitit 2005 kandidat zyrtar për anëtarësim ne BE. Por sipas rezultateve te anketimit te “Transatlantic Trend”, cituar nga Deutsche Welle, në vend po bie interesi për Bashkimin Europian.
Sondazhet tregojnë se pro anëtarësimit, janë sot vetëm 44 % e turqve, ndërsa në 2004-ën, niveli i përkrahjes ishte 73 %. Arsyeja kryesore është kohëzgjatja tepër e madhe e procesit të pranimit; mjaft turqve u duket se asnjë vend tjetër nuk ka pritur kaq shume për t’u bere anëtar sa Turqia, ndërsa ekonomia e forte e vendit ka bërë që të humbasë interesi për Europën.
Top Channel