Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti tha të mërkurën se pala maqedonase është treguar e frikësuar nga ideja e BDI-së për një president konsensual në Maqedoni.

Ahmeti tha para qytetarëve të Dibrës se shqiptarëve duhet t’u takojë njëri nga nga tre postet më të rëndësishme shtetërore në Maqedoni, qoftë ai i kryetarit të Parlamentit, kryeministrit apo presidentit dhe kjo sipas tij nuk duhet të frikësojë askënd.

Megjithatë, menjëherë pas këtij mesazhi Ahmeti ftoi dibranët të mos dalin në zgjedhjet presidenciale, edhe pse në këtë garë merr pjesë edhe kandidati shqiptar Iljaz Halimi.

“Nuk ka nevojë të frikësohet askush nëse një shqiptar do të udhëheqë një institucion të lartë të shtetit, qoftë kryetar shteti, kryeministër, apo kryetar Parlamenti. Po vjen 13 prilli, ne skemi kandidat dhe nuk do të dalim në votime sepse nuk është zgjidhja jonë, nuk është zgjidhja që ofron zgjidhjen më të mirë për t’i ofruar komunitetet”, deklaroi Ahmeti.

Nga ana tjetër, lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi tha se shqiptarët duhet t’i injorojnë thirrjet e Ahmetit për bojkot, pasi sipas tij, në raundin e dytë Ahmeti dhe partia e tij, BDI, do ta mbështesin kandidatin e VMRO-DPMNE-së, Gjorgje Ivanov, njësoj si në vitin 2009.

“Më 14 prill do të shihni se si do të shkojnë zvarrë për t’u lutur që ta mbështesin Ivanovin. Pse sot Ali Ahmeti nuk e pranon se ai në vitin 2009 e bëri Ivanovin president? Pse nuk pranon se i bëri trysni shqiptarëve, i kërcënoi ata me ndihma sociale dhe me vende pune, që të merrte një për qindje të mjerueshme votash, 1.7%, për ta bërë Ivanovin president”, deklaroi Thaçi.

Ndërkohë, organizata joqeveritare ‘Transparenca në Maqedoni’ ka shprehur dyshime për shumë parregullsi gjatë fushatës elektorale. Sipas kësaj organizate, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit mbetet i shurdhër ndaj shkeljeve flagrante të procesit zgjedhor, sidomos ndaj keqpërdorimeve që në vazhdimësi po ndodhin nga ana e anëtarëve të qeverisë, të cilëve në bazë të Kodit Zgjedhor u ndalohet aktiviteti dhe shfrytëzimi i pozicionit të tyre zyrtar.

Top Channel