
Madridi i thotë jo referendumit në Katalonjë, por debati politik vazhdon. Ashtu sic ishte parashikuar është rrëzuar me shumicë dërrmuese në mënyrë përfundimtare mundësia që t’i jepej parlamentit lokal kompetenca për thirrjen e referendumit popullore.
Ligji është rrëzuar me 299 vota kundër, 47 pro dhe 1 abstenim. “Si shef i qeverisë, ka thënë Mariano Rahoi, jam dhe do të jem kryeministër i të gjithëve. Mbroj qëndrimin e Katalonjës në Spanjë sepse nuk mund ta mendoj Spanjën pa Katalonjën dhe nuk mund ta mendoj Katalonjën jashtë Spanjës dhe jashtë Europës”.
Për përfaqësuesit e partive katalane që mbështesin referendumin, rrëzimi nga ana e parlamentit spanjoll nuk do t’i ndalë përpjekjet e tyre për ndarje. Pas kësaj ‘Jo’-je, ata do të kërkojnë mundësi të reja nga këndvështrimi juridik për të realizuar referendumin e paralajmëruar për më 9 nëntor e mbi të gjitha, sic thonë ata, për t’i dhënë zë katalanasve që të vendosin për të ardhmen e tyre.
Sipas sondazheve, 80 për qind e katalanasve është në favor të mundësisë për t’u shprehur për pavarësinë. Ndërkohë, presidenti i Katalonjës, përballë një vendimi për jokushtetuetshmëri do të shpallë të mbyllur legjislaturën dhe do të thërrasë zgjedhjet e parakohëshme.
Top Channel