Krerët e institucioneve të Kosovës kanë vlerësuar në përvejtorin e gjashtë të Kushtetutës se përgjatë kësaj kohe shteti arriti të shtrijë sovranitetin në gjithë territorin.

Në një ceremoni solemne të organizuar nga Ministria e Drejtësisë morën pjesë zyrtarë të lartë shtetërorë, ambasadorë të akredituar në Prishtinë dhe anëtarë të Komisionit Kushtetues që kanë hartuar draftin e aktit më të lartë të shtetit.

Me këtë rast, kryeministri Hashim Thaçi tha se ndihet krenar që tani Kushtetuta e Kosovës zbatohet në gjithë vendin, përfshirë edhe pjesën veriore të banuar me shumicë serbe.

“Si obligim i kapitullit të parë të Kushtetutës kemi arritur ta vendosim sovranitetin dhe integritetin territorial duke garantuar këtë sovranitet me policët tanë, duke përfshirë të gjithë kufijtë, duke përfshirë edhe Jarinjën dhe Bërnjakun”, deklaroi Thaçi.

Në gjashtë-vjetorin e Kushtetutës, Thaçi tha se ajo do të avancojë me ndryshime të nevojshme që do të mundësojnë formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Ndërsa presidentja Atifete Jahjaga u shpreh se miratimi i Kushtetutës ishte një akt historik për Republikën e Kosovës.

“Republika e Kosovës sot është më afër integrimeve evropiane për aq sa jemi të gatshëm për sundim të rendit dhe ligjit”, theksoi Jagjaga.

Nga ana tjetër, kryetari i Parlamentit Jakup Krasniqi deklaroi se Kushtetuta e Kosovës u ka garantuar minoriteteve të drejtat maksimale në rajon e më gjerë.

“Pavarësia na dha Kushtetutën, por Kushtetuta duhet të jetë garancia e pavarësisë, e sovranitetit, e integritetit territorial të vendit dhe e rendit demokratik e ligjor. Këtë lidhje dialektike midis miratimit dhe zbatimit kushtetues e ligjor e bëjnë institucionet e përgjegjshme, funksionale dhe efikase shtetërore, shoqëria e ndërgjegjësuar, demokratike e me gjithë mekanizmat e saj, si dhe qytetari i lirë”, deklaroi Krasniqi.

Edhe kreu i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, por edhe kryetari i Komisionit Kushtetues Hajredin Kuçi folën për zbatimin e deritanishëm të aktit më të lartë shtetëror.

Kushtetuta e Kosovës, e miratuar më 9 prill 2008, konsiderohet si vendimi më i rëndësishm pas shpalljes së pavarësisë. Brenda kësaj kohe, Gjykata Kushtetuese ka konsideruar disa herë shkelje kushtetuese, që janë bërë nga presidentë të shtetit e deri tek qytetarët e thjeshtë në veri të vendit.

Top Channel