
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u ka thënë ministrave të tij që të ndërpresin takimet e nivelit të lartë me homologët palestinezë.
Urdhëri vjen pas “shkeljes nga Palestina të angazhimeve të marra në kuadër të bisedimeve të paqes”, kanë deklaruar zyrtarët izraelitë.
Gjithashtu, urdhëri vjen edhe pas kërkesës së Palestinës për t’u anëtarësuar në 15 traktate dhe konventa të OKB-së si shtet.
Korrespondentët e mediave të huaja deklarojnë se vendimi i zotit Netanyahu i ka dhënë një tjetër goditje bisedimeve të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara.
Zyrtarët qeveritarë thanë se kryenegociatorja izraelite Tzipi Livni do të bëjë përjashtim nga urdhëri i shefit të ekzekutivit.
Autoritetet përgjegjëse për mbrojtjen dhe sigurinë do të lejohen gjithashtu të vazhdojnë dialogun me palestinezët, sugjerojnë raportimet. Në të kundërt, do të lejohet vetëm bashkëpunimi i nivelit të ulët.
Ditën e martë, sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të promovojnë bisedimet mes palëve, pavarësisht tërheqjeve të fundit. Kerry fajësoi të dyja palët për hapat e gabuar.
Bisedimet e paqes Izrael-Palestinë rifilluan në korrik nën ndikimin e Uashingtonit pas tre vitesh ngërç. Secila palë fajëson tjetrën për shkelje të premtimeve të marra përsipër.
Palestinezët u irrituan kur Izraeli nuk zbatoi premtimin për lirimin e grupit të katërt të të burgosurve palestinezë, sikurse ishte rënë dakord gjatë dialogut të vitit të kaluar. palestinezët donin që në këtë grup të përfshiheshin edhe disa të burgosur arabo-izraelitë.
Top Channel