Për herë të parë që nga nisja e marrjes së huasë madhore ndërkombëtare, Greqia futet në tregje duke nxjerrë në shitje bono me afat 5-vjeçar.

Athina emëtoi bono 5-vjeçare me vlerë 2 miliardë euro dhe me normë interesi rreth 5 përqind.

Lajmi u konfirmua nga Ministria greke e Financave në kohën kur në Athinë mijëra protestues ishin grumbulluar para parlamentit për të protestues kundër shkurtimeve të rrogave dhe pensioneve, largimeve masive nga puna, rritjes së taksave dhe të tjera masave shtrënguese që qeveria greke ka ndërmarrë për të plotësuar kushtet e kërkuara nga kreditorët ndërkombëtarë.

“Greqia njofton mandatimin e bankave ndërkombëtare për nxjerrjen në shitje të bonove me afat 5-vjeçar”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Financave të Greqisë duke kërkuar që veprimet të nisin menjëherë.

Më shumë se 20 mijë grekë dolën në rrugët dhe sheshet e Athinës me parrulla kundër Bashkimit Europian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. “BE, FMN, merreni huanë tuaj dhe zhdukuni prej këtej!”, ishin thirrjet dhe parrullat e tyre.

Një grevë e përgjithshme 24 orëshe mbylli shkollat, farmacitë, portet duke paralizuar aktivitetin në mjaft sektorë të vendit, ndërkohë që spitalet funksionuan vetëm me stafin e emergjencave.

Që nga nisja e krizës grekët kanë humbur një të tretën e pagës së tyre si pasojë e reduktimeve të njëpasnjëshme apo rritjes së taksavem, ndërkohë që papunësia është rritur në nivele alarmante duke prekur një në katër persona të aftë për punë.

Nën masa të rrepta sigurie të premten pritet të mbërrijë në Athina kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila do të takohet me kryeministrin grek, Antonis Samaras. Berlini këmbëngul në uljen e mëtejshme të shpenzimeve, uljen e pagave dhe rritjen e taksave në këmbim të lëvrimit të këstit të radhës së huasë.

Greqia mund të rikthehet në tregjet financiare globale pas shenjave të uljes së kostos së huammarrjes.

Top Channel