Gjermania, gati t’i rikthejë pikturat koleksionistit

09/04/2014 00:00

Prokurorët në Gjermani priten të lirojnë 1280 punime arti të konfiskuara 2 vjet më parë nga apartamenti në Mynih i koleksionuesit Cornelius Gurlitt, i ati i të cilit u mor me shit-blerjen e tyre gjatë periudhës së nazistëve, përfshi punime të vjedhura nga shtëpitë e hebrenjve, si dhe ato të blera nga pronarët hebrenj nën presion.

Avokatët mbrojtës të koleksionuesit pranuan se një pjesë e vogël e punimeve mund të vihen në dyshim, por pjesa më e madhe e sendeve të çmuara është pjesë e koleksionit të bërë sipas dëshirës së tij.

Gurlitt është ende në përmirësim e sipër nga një operacion në zemër, ndaj dhe ende nuk dihet se si mund të ketë reaguar ai ndaj këtij vendimi.

Gjasat momentale janë që pikturat, disa të Matisse, të tjera të Picasso-s dhe të piktorëve të tjerë me famë, të mbeten në një magazinë të sigurt në Bavari, për sa kohë që çështja ligjore do të vazhdojë, por vendimi i prokurorëve nënkupton se koleksionisti ka të drejtën kryesore mbi to.

Një numër më i vogël i punimeve të gjetura në pronën e Gurlitt-it në Austri, nuk do të preken nga vendimi i gjyqit në Gjermani.

Vendimi së mërkurës erdhi vetëm pak kohë pasi koleksionisti pranoi të bashkëpunonte me autoritetet për të përcaktuar se cilat prej pikturave janë vjedhur nga nazistët, si dhe për të mundësuar rikthimin e tyre.

Prokurori i Augsburgut, Matthias Nickolai, tha në një deklaratë se punimet janë lëshuar formalisht pasi prokurorët rivlerësuan situatën ligjore. Prokurorët – tha ai, – kanë qenë “tërësisht të bindur”se në kohën e konfiskimit ka qenë gjithçka ligjërisht e drejtë.

Avokati i Gurlitt, Tido Park, tha se “rehabilitimi i tij mund të përmirësohet edhe më shumë”, nga vendimi i së mërkurës. “Kështu që është një ditë e mirë për Cornelius Gurlitt”, shtoi ai.

Top Channel