
Qeveria e përkohëshme ukrainase njoftoi se ka rimarrë nën kontroll godinat e administratës rajonale në qytetin lindor të Kharkiv-it, pranë kufirit me Rusinë dhe shpresojnë që të njëjtat godina do të vihen nën kontroll edhe në qytetin e Luhansk-ut dhe Donetsk-ut shumë shpejt.
Të hënën protestues pro-rusë morën kontrollin e godinave qeveritare në këto tre qytete. Gjatë marsit Rusia aneksoi Gadishullin e Krimesë duke pasur një referendum të mbajtur ku banorët vendas votuan pro bashkimit me Federatën Ruse.
Kievi dhe vendet perëndimore nuk e njohin referendumin dhe rrjedhimisht as rezultatin e tij. Për Perëndimin referendumi shkel haptazi të gjitha ligjet ndërkombëtare si dhe Kushtetutën ukrainase.
Mijëra trupa ruse janë stacionuar në bazat pranë kufirit me Ukrainën, një lëvizje kjo që dënohet nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian që kanë aplikuar disa sanksione ekonomike ndaj zyrtarëve të lartë rusë, përfshirë këtu bashkëpunëtorë të ngushtë të presidentit Putin.
Moska deklaron se nuk ka asnjë plan për të ndërhyrë ushtarakisht në Ukrainë, megjithëse rezervon të drejtën për të ndërhyrë dhe për të mbrojtur popullsinë etnike ruse në këto rajone.
Zv.ministri i Jashtëm ukrainas, Danylo Lubkivsky deklaroi për BBC se situata në lindje të vendit është nën kontroll, por mbetet e rrezikshme.
Presidenti i përkohshëm ukrainas, Oleksandr Turchynov deklaroi se dhjetra policë janë plagosur gjatë operacionit për të rimarrë nën kontroll godinat qeveritare në Kharkiv, ndërsa Ministria e Brendshme deklaroi se të paktën 70 persona janë arrestuar pa qëlluar asnjë plumb.
Turchynov tha se ata që zaptuan godinat qeveritare do të trajtohen si kriminelë dhe terroristë dhe do të ndëshkohen me ashpërsinë më të madhe ligjore. Të hënën, protestuesit pasi morën kontrollin e godinës qeveritare në Donetsk shpallën ‘Republikën e Popullit” dhe bënë thirrje për mbajtjen e një referendumi për shkëputjen nga Ukrainë më 11 maj.
Gjatë natës ka patur bisedime mes protestuesve dhe autoriteteve ukrainase. Të martën, Rusia paralajmëroi Ukrainën që të ndalë cdo përgatitje për të ndërhyrë ushtarakisht në zonat lindore sepse po rrezikonte nisjen e një lufte civile. Moska nuk njeh autoritetet e reja në Kiev, që pasuan rrëzimin e presidentit Victor Yanukovych.
Shtetet e Bashkuara shprehën shqetësimin e thellë për shtimin e tensioneve në Ukrainën Lindore pasi protestuesit pro-rusë. Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry i tha homologut të tij rus, Sergei Lavrov gjatë një bisede telefonike se “cdo përpjekje e Rusisë për të destablizuar do të ketë pasoja të rënda”. Për Uashingtonin protestat dhe sulmet ndaj autoriteteve ukrainase në lindje të vendit nuk janë spontane.
Edhe NATO ka reaguar mbi rindezjen e tensioneve në Ukrainë. Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Anders Fogh Rasmussen tha se “Rusia do të kryente një gabim historik nëse do të ndërhynte në lindje të Ukrainës, me pasoja të rënda për veten që do të conte në një izolim të mëtejshëm ndërkombëtar”.
Nga ana e saj Rusia mohon se qëndron pas trazirave në Ukrainë. Në një artikull të publikuar në gazetën britanike “The Guardian”, Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov dënoi përshkallëzimin e tensioneve në Ukrainë dhe tha se Perëndimi duhet fajësuar për gjithcka po ndodh në Ukrainë, sepse u përpoq të detyrojë Kievin të zgjedhë mes Lindjes dhe Perëndimit. Ai paralajmëroi gjithashtu qeverinë e re të Kievit kundër cdo ndërhyrje të dhunshme ndaj protestuesve pro-rusë.
Top Channel