
Një person i armatosur dhe i maskuar ka qëlluar për vdekje, me armë zjarri, një prift holandez në rajonin e Homs në Siri.
Frans Van Der Lugt, 75 vjeç, jetonte në Siri për dekada të tëra dhe kishte refuzuar të largohej me civilët e tjerë pavarësisht luftimeve të ashpra që janë zhvilluar në këtë qytet.
Motivet e vrasjes janë ende të paqarta, ndërkohë që askush nuk ka marrë përgjegjësinë për vrasjen deri tani. Zona prej rreth një viti ishte nën kontrollin e forcave besnike të presidentit Assad.
Vrasja u raportua në fillim nga Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut dhe më pas nga agjencia shtetërore siriane e lajmeve, Sana.
Një tjetër prift, i cili ndodhej në manastir në momentin e sulmit deklaroi se Van der Lugt ishte objektiv i drejtpërdrejtë i sulmit.
Prifti holandez kishte deklaruar se do të largohej nga Homs pasi të ishte evakuuar e gjithë popullsia e krishtere, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme nga përfaqësuesit e OKB, të cilët kishin tentuar ta transferonin nga zona e rrezikshme.
Federico Lombardi, zëdhënësi i Vatikanit konfirmoi vrasjen dhe shtoi se Frans Van Der Lugt tregoi besnikëri ndaj popullit sirian, pavarësisht situatës.
Top Channel