
Presidenti i Republikës së Irlandës, Michael D Higgins zhvillon të
martën një vizitë zyrtare në Londër, e para e një kryetari shteti
irlandez në histori.
Zoti Higgins do të takohet me Mbretëreshën dhe Dukën e Edinburgut në kështjellën Uindsor, përpara angazhimeve politike në Westminister.
Presidenti gjithashtu do të bëjë homazhe në varrin e Luftëtarit të Panjohur në Westminister Abbey, në qendër të Londrës. Vizita e tij 4-ditore vjen pas vizitës së suksesshme dhe simbolike të Mbretëreshës në Republikën e Irlandës në vitin 2011.
Pritet që zëvendëskryeministri i Irlandës së Veriut, ish-komandanti i IRA-s Martin McGuinnes, të marrë pjesë në banketin e organizuar nga monarkja në kështjellën Uindsor të martën.
Ndërkohë, presidenti do të mbajë një fjalim në Dhomën e Parlamentit, edhe ky për herë të parë për një kryetar shteti irlandez, që do të ketë në fokus kontributin e emigrantëve irlandezë në shoqërinë britanike.
Zoti Higgins, që do të shoqërohet nga bashkëshortja e tij Sabina, udhëtoi në Angli vitin e kaluar duke u ndalur në Londër, Mançester dhe Liverpul, por asnjë nga këto vizita nuk ishte zyrtare.
Këtë herë, në kështjellën Uindsor ai do të pritet me një ceremoni, ku do të mund të shohë ngjyrat e regjimenteve të shpërbëra irlandeze të ushtrisë britanike.
Më tej gjatë vizitës, presidenti do të takohet me kryeministrin David Cameron në Downing Street, përfaqësues të biznesit dhe kryetarin e bashkisë së Londrës, Boris Johnson.
Top Channel