Eurodeputetja gjermane, Doris Pack ka deklaruar se qeveria e ardhshme
serbe duhet të angazhohet seriozisht në zbatimin e të gjitha
marrëveshjeve të arritura me Kosovën në dialogun e Brukselit.

Në një intervistë për gazetën serbe “Danas”, Pack ka theksuar se ekzekutivi i ardhshëm serb duhet të jetë një ekip i vërtetë, ku të gjithë të kenë të njëjtat qëllime dhe të punojnë për arritjen e tyre.

“Është e rëndësishme që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura me Prishtinën në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”, ka thënë europarlamentarja.

Ajo ka theksuar gjithashtu se, negociatat Kosovë-Serbi duhet të përfshijnë të gjitha problemet ekzistuese, për zgjidhjen e të cilave duhet të punohet.

Në raundin e fundit të dialogut, i mbajtur në fund të marsit, Prishtina dhe Beogradi nuk arritën të mbyllnin një marrveshje për çështjet e drejtësisë.

Megjithëse kryeministri Hashim Thaçi u shpreh optimist para takimit se palët ishin pajtuar në parim për të dhe funksionimin e bashkësisë së komunave serbe, përzgjedhja e gjyqtarëve dhe prokurorëve në veri të Kosovës u trajtua pa sukses në të paktën 5 raundet e fundit.

“Kemi arritur një përparim të theksuar dhe pothuajse është çështje e përmbyllur arritja e marrëveshjes. Në takimin e ardhshëm besoj do të zyrtarizohet arritja e marrëveshjes”, u shpreh Thaçi.

Ndërsa kryeministri Ivica Daçiç, në deklaratën e tij të fundit nga Brukseli, përsëriti se “palët përafruan qëndrimet e tyre” dhe me shumë gjasë “kjo marrëveshje mbyllet gjatë takimit të radhës në prill”.

Në raundin e ardhshëm Beogradi do të përfaqësohet nga kryeministri i ri, Aleksandar Vuçiç, i cili deri më sot merrte pjesë në bisedime në cilësinë e numrit dy të qeverisë serbe.

Top Channel