
Luftanija e Marinës amerikane “USS Donald Cook” pritet të futet në ujrat e Detit të Zi jo më vonë se sa e enjtja, si pjesë e përpjekjeve më të fundit të ushtrisë amerikane për të treguar mbështetjen për aleatët e Europës Lindore, të shqetësuar për praninë e trupave ruse përgjatë kufirit lindor të Ukrainës.
Lëvizja e shkatërruesit të udhëzuar të raketave është konfirmuar për CNN nga dy zyrtarë të lartë të ushtrisë amerikane, por që kanë refuzuar të identifikohen për shkak se ende nuk është lëshuar një njoftim formal për këtë çështje.
Anija do të zhvillojë ushtrime dhe vizita nëpër porte gjatë kohës së qëndrimit në Detin e Zi. Shkatërruesi i udhëzuar i raketave “USS Truxtun” mori pjesë në disa ushtrime të planifikuara në Detin e Zi, muajin e kaluar, dhe u largua vetëm më 21 Mars.
Vendet anëtare të NATO-s, Bullgaria, Rumania dhe Turqia, kanë dalje në Detin e Zi, ashtu sikurse dhe vendet jo-anëtare si Ukraina, Rusia dhe Gjeorgjia.
Lëvizja e luftanijes amerikane në Detin e Zi vjen pas takimit të 15 Prillit të përfaqësuesve më të lartë politikë të NATO-s, për të diskutuar dhe për të miratuar një sërë rekomandimesh për masa të reja shtesë ushtarake, përfshi shkurtimin e “kohës së kundërpërgjigjes” së forcave të NATO-s nëse do të ketë krizë.
Opsionet e tjera në tavolinë përfshinin edhe stërvitje të reja ushtarake mes vendeve anëtare, përfshi Shtetet e Bashkuara, si dhe dërgimin potencial të këshilltarëve ushtarakë në Ukrainë.
Duke përdorur imazhe të klasifikuara dhe tregtare satelitore, Shtetet e Bashkuara përllogarisin se janë rreth 40 mijë trupa ruse në kufirin lindor të Ukrainës. Këto trupa vazhdojnë të qëndrojnë shumë pranë dhe janë të armatosur rëndë, gjë që ka bindur SHBA-të dhe NATO-n të parashikojnë se ata “mund të pushtojnë” Ukrainën Lindore brenda 3-5 ditësh, tha njëri prej zyrtarëve.
Ky është një përllogaritje e bazuar edhe te deklarata e bërë disa ditë më parë nga Gjenerali Philip Breedlove, shefi ushtarak i NATO-s. Deri më tani nuk ka pasur asnjë tërheqje të trupave ruse nga rajoni, përveç një numri tepër të vogël, teksa pjesa më kryesore dhe e armatosur rëndë vazhdojnë të qëndrojnë në pozicionet e tyre, tha zyrtari i paidentifikuar.
Uashingtoni beson gjithashtu se trazirat e fundit në Lindje të Ukrainës, përreth qytetit të Donetsk-ut, janë organizim i “personave të paguar ose të detyruar, të influencuar së tepërmi nga Rusia”, tha zyrtari.
SHBA-të vlerësojnë se rusët po presin për një provokim sado të vogël, për të hyrë në Ukrainë. Por, përgjigja e ushtrisë ukrainase duke lëvizur në mënyrë metodike dhe duke arrestuar shkaktarët e trazirave, kanë funksionuar deri më tani. Ndaj dhe Rusia ka lëshuar një paralajmërim për luftë civile, nëse Ukraina përdor forcën për të shpërndarë revoltën në rajonin lindor.
Top Channel