Këshilli i ri drejtues i RTSH-së

08/04/2014 00:00

Pas muajsh në pritje, pas disa seancash dhe shumë diskutimesh të gjata, Komisioni i Medias i drejtuar nga Genc Pollo më në fund ka miratuar formulën e propozuar nga mazhoranca për përzgjedhjen e Këshillit të ri Drejtues të Radio-Televizionit Shqiptar.

Nënkryetari i këtij Komisioni, Alfred Peza i ka rikujtuar opozitës dhe kryetarit të Komisionit se kjo zvarritje e qëllimtë po e mban prej kohësh peng Radio-Televizionin Shqiptar.

“Drejtori i Përgjithshëm i Radio-Televizionit Publik Shqiptar ka dhënë dorëheqjen më datë 13 dhjetor 2013. Prej 4 muajsh ky institucion është pa drejtor. Kryetari i Këshillit Drejtues të RTSH-së i ka përfunduar mandati më datë 28 korrik 2011 dhe prej 35 muajsh ky institucion është pa kryetar të Këshillit Drejtues. Zgjidhja konsensuale ka pesë muaj që po kërkohet. Konsensusi u dha dhe ju u tërhoqët dhe në momentin ku për një ligj konsensual nuk gjendet një formulë konsensuale kalohet në procedurë. Kemi propozimet konkrete, të kalojmë në procedurë meqë ju vazhdoni në të njëjtin pozicion”, tha nënkryetari i Komisionit, Alfred Peza.

“Edhe përgjegjësia jonë për vonesën nga tetori deri ditën e sotme për mosarritjen e formulës, por kam përshtypjen që një shkak i qenësishëm i kësaj është përpjekja për të shtrirë kontrollin edhe aty ku jo vetëm tradita e mirë, por edhe gërma dhe fryma e ligjit nuk ia jep qeverisë apo mazhorancës”, reagoi kreu i Komisionit, Genc Pollo.

Por edhe zgjidhja e këtij hapi të parë procedurial nuk ka qenë e lehtë. Janë dashur rreth tre orë diskutime edhe për RTSH që kryetari i këtij Komisioni, Genc Pollo të pranojë të hedhë në votë propozimet e palëve.

Mazhoranca propozoi që secila palë të mbështesë 20 kandidaturat e saj, më pas të nisë përzgjdhja finale për të arritur tek 10 emrat që do të përfaqësohen në Këshillin Drejtues të RTSH-së.

“Një listë prej 20 emrash të mbështetur nga mazhoranca dhe një listë tjetër me 20 emra të mbështetur nga opozita. Përzgjedhja përmes përjashtimit të bëhet nga mazhoranca në listën e opozitës dhe nga opozita në listën e mazhorancës deri sa të arrihet numri pesë nga secila listë”, ishte propozimi i mazhorancës bërë nëpërmjet deputetes socialiste Mimoza Hafizi.

Pas miratimit të formulës, Komisioni ka vendosur që relator për zëvendësimin e vendeve bosh të Autoritetit të Medias Audiovizive të jetë nga mazhoranca nënkryetari i Komisionit të Medias Alfred Peza dhe nga opozita Luçiano Boçi.

Top Channel