Mungesa e investitorëve të huaj, posaçërisht diasporës shqiptare, bën që vendi të ngecë sa i përket zhvillimit ekonomik. Është ky konstatimi që ka bërë kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj në një takim me përfaqësues të Odës Ekonomike Gjermane në Kosovë.

Sipas mediave kosovare, fajin për këtë situatë Haradinaj ia ka hedhur qeverisë, për mungesë të vizionit dhe interesimit për tërheqjen e investitorëve në Kosovë.

“Për bindjen time, qeveria Thaçi ka dështuar totalisht në ekonomi. Pse është dështim total? Për faktin se përpos që nuk kanë ndodhur investime, ne jemi hequr edhe nga harta për zhvillime ekonomike, për investitorë seriozë, për ata që kanë kredibilitet si kompani. Pra, janë larguar të gjithë prej nesh. Kalojnë diku tjetër, por tek ne jo”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa kryetari i Odës Ekonomike Gjermane, Bardhyl Meta ka deklaruar se diaspora që është e interesuar për të investuar në Kosovë përballet me vështirësi të shumta kur vjen këtu, duke filluar me tatimet që aplikohen ndaj saj.

“Nëse dikujt nga jashtë i kushton 200 mijë euro makina, nga 200 mijë euro 25 për qind ia marrin në kufi menjëherë. Pra, atij investitori i duhen që 50 mijë euro t’i lërë menjëherë në kufi. Prandaj, ajo që i propozoj unë çdo qeverie është të heqë TVSH-në dhe doganën për çdo makinë prodhuese që vjen në vend”, ka theksuar Meta.

Ndryshe, përfaqësuesit e komunitetit të bizneseve, të cilët kanë qenë të pranishëm në takim, kanë kërkuar që institucionet e vendit t’i kthejnë sytë nga diaspora në mënyrë që edhe ai komunitet të jetë pjesë e një zhvillimi sa më të shpejtë ekonomik të vendit.

Top Channel