Ministrja e Integrimeve, Vlora Çitaku ka deklaruar para studentëve të një prej universiteteve të Prishtinës se liberalizimi i vizave është më tepër një vendim politik dhe nuk ka të bëjë shumë me përmbushjen e kritereve.

Në ligjëratën “Rruga drejt Evropës”, Çitaku këtë e ka argumentuar me vendimet e Komisionit Evropian për heqjen e vizave për disa shtete të Azisë dhe Amerikës Latine, që kanë të njëjtat probleme si Kosova.

“Këtë vit, Komisioni Evropian ka rekomanduar heqjen e vizave për Emiratet e Bashkuara Arabe, Kolumbinë, Perunë, sërish bazuar në vendime politike dhe jo në udhërrëfyes apo përmbushje kriteresh teknike në fusha të ndryshme, që neve na janë diktuar. A është kjo e drejtë? Nuk është”, ka thënë Çitaku, e cituar nga “RTK”.

Megjithatë, Çitaku ka theksuar se Kosova i ka përmbushur kriteret e vendosura nga Komisioni Evropian për liberalizimin e vizave. Dhe kjo, sipas saj, ka ndihmuar gjithsesi zhvillimin e vendit. Por nga ana tjetër, ministrja ka shprehur zhgënjimin e saj lidhur me vonesat që po bën Komisioni Evropian në vlerësimin e kritereve.

“Dua të shpreh para jush zhgënjimin tim me ritmin e ngadaltë me të cilën Komisioni Evropian po i përgjigjet entuziazmit, përkushtimit dhe punës që kanë bërë të gjitha institucionet e Kosovës, pa dallim, në përmbushjen e kritereve. Lajmi i keq është se KE nuk i ka dërguar ende komisionet për përmbushjen e kritereve”, ka pohuar Çitaku.

Më tej Çitaku ka shtuar se Kosova nuk është e gatshme të jetë anëtare e BE-së, por gjithësesi është e gatshme të nënshkruajë Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit.

Top Channel