
Ekipet e kërkimit të avionit të zhdukur të “Malaysian Airlines”
deklarojnë se do të presin për kontakte të mëtejshme me sinjalet që u
kapën gjatë fundjavës, para se të zhysin një mjet nënujor për të kërkuar
mbetjet.
Një anije australiane ka dëgjuar sinjale të cilat, thonë autoritetet, mund të jenë të kutive të zeza të avionit. Megjithatë, rekuperimi i tyre që prej së dielës nuk ka qenë i mundur.
Autoritetet australiane deklaruan se është jetike të kapen sërish sinjalet para se të nisin kërkimet me mjetet e reja. Duke folur nga baza ajrore në qytetin e Perthit, ministri australian i Mbrojtjes, David Johnston deklaroi se, operacioni do të jetë i gjatë dhe i vështirë.
“Ditë të tëra aksioni intensiv na presin, pasi ekipet e kërkimit po përballen me këtë detyrë të vështirë dhe me kutitë e zeza që mendohet se janë ende aktive”, tha Johnston.
Anija australiane “Ocean Shield” ka përdorur një lokalizues të posaçëm për sinjalet e kutive të zeza dhe gjatë fundjavës i ka kapur ato në dy raste të veçanta.
Por shefi i operacioneve ajrore, Angus Huston, që drejton agjencinë që po kryen kërkimet për avionin, deklaroi se që atëherë anija “Ocean Shield” nuk ka pasur kontakte të tjera me sinjalet e kutive.
Ai tha gjithashtu se kërkimet përmes lokalizatorëve do të vazhdojnë për disa ditë dhe se dronët nënujore nuk do të përdoren nëse nuk do të ketë sërish sinjale.
“Nëse marrim më shumë sinjale mund të kemi një zonë më konkrete në pllakën e oqeanit, ku do të mund të fokusojmë kërkimet vizuale për mbetjet e avionit”, tha Huston.
Avioni u zhduk më 8 mars teksa udhëtonte me 239 persona në bord nga Kuala Lumpuri me destinacion Pekinin dhe thuhet se është rrëzuar në jug të Oqeanit Indian.
Top Channel