Ukrainë, shpallet “republika e Donetskut”

07/04/2014 00:00

Protestuesit pro-rusë që morën nën kontroll ndërtesën qeveritare rajonale në qytetin e Donetskut, në Ukrainë, raportohet të kenë shpallur të ashtuquajturën “republika e popullit”.

Pamje të publikuara online tregojnë kryetarin rus të asamblesë lokale që thotë: “Unë shpall krijimin e shtetit sovran të Republikës Popullore të Donetskut”. Rebelët thuhet se kanë bërë thirrje për mbajtjen e një referendumi për krijimin e republikës së re.

Presidenti i përkohshëm i Ukrainës, Oleksandr Tuchynov i cilësoi trazirat si një përpjekje të Rusisë për të shpërbërë Ukrainën. Ai tha se, kjo është “vala e dytë” e operacionit të Rusisë për të destabilizuar vendin.

Rusia së fundi aneksoi gadishullin e Krimesë, pas një referendumi të mbajtur atje, të cilin Kievi e konsideron ilegjitim. Korrespondenti i BBC në Moskë, Daniel Sandford thotë se Donetsku ndryshon nga Krimea pasi asambleja lokale ka anëtarë ukrainas po aq sa ka edhe rusisht-folës.

Sondazhet tregojnë se ata kanë treguar mbështetje të fortë për një Ukrainë të bashkuar, raporton i dërguari i rrjetit informativ britanik.

Më herët gjatë ditës, protestuesit morën nën kontroll ndërtesat në Donetsk dhe Luhansk. Në këtë të fundit ata morën nën kontroll edhe depot e armëve. Protestuesit duan që referendumi të mbahet më 11 maj.

Protestat shpërthyen në Donetsk dhe në qytetin tjetër në lindje të Ukrainës, Kharkiv, ditën e diel. Autoritetet ukrainase deklarojnë se aktualisht rebelët e kanë braktisur ndërtesën qeveritare në Kharkiv.

Agjencia ukrainase e lajmeve “Unian” deklaron se persona të armatosur janë përpjekur të bastisin edhe selinë e një televizioni lokal, por janë ndaluar nga policia.

Në një mbledhje urgjente të kabinetit të tij, kryeministri i përkohshëm i Ukrainës, Arseniy Yatsenyuk fajësoi Rusinë për këto trazira.

Top Channel