Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi mbajti të hënën një ligjeratë në Universitetin Publik të Prizrenit, “Ukshin Hoti”, ku konfirmoi para studentëve vendimin e tij për uljen prej 50 për qind të pagesës për semestër, për konvikte dhe mensë.

Ai po ashtu tha se se të gjithë maturantët vitin e parë të studimeve do ta kenë të gjithë pa pagesë dhe se do të rritet numri i bursistëve nga 1 mijë në 1 mijë e 500.

“Ju ftoj të më ndihmoni, ju ftoj të punojmë bashkërisht, vetëm bashkë do të korrim sukses, ju ftoj të jeni aktiv, jo vetëm këtu në salla universitare por edhe në debate kudo që zhvillohen, edhe në debate shoqërore në media, pse jo edhe në Facebook, edhe në Tëitter dhe të përmbushim misionin tonë të ri për zhvillimin dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Natyrisht edhe selfie”, deklaroi Thaçi.

Këtë ftesë, kreu i qeverisë ua bëri studentëve, siç tha ai, për të fituar edhe betejën e tretë për krijimin e Kosovës evropiane.

“Fituam betejën kundër Serbisë për liri, fituam edhe betejën për pavarësi se bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Tani ka nevojë për ju që bashkërisht të fitojmë betejën e tretë, të krijimit të Kosovës evropiane, ku papunësia do të jetë dyfish më e vogël për katër vitet e ardhshme. Unë e di që kjo është e mundur dhe unë ju ftoj të jeni me mua dhe bashkërisht ta realizojmë këtë mision tonin të përbashkët, misionin e ri, misionin për Kosovën e zhvilluar, për Kosovën moderne”, tha Thaçi.

Kreu i qeverisë ka ftuar studentët që të hapin ndërmarrje të reja dhe të aplikojnë në fondin për punësim dhe do të marrin ndihmën e merituar, duke theksuar se ky fond është I studentëve dhe I rinisë së Kosovës.

Ai tha se është duke bashkëpunuar ngushtë me ekspertë vendor e ndërkombëtarë për fondin për punësim prej 1 miliard eurove, e i cili do t’iu ndahet ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe për hapjen e ndërmarrjeve të reja e që sipas tij do të happen mijëra vende të punës.

Lidhur me këtë ligjeratë të kryeministrit ka reaguar Lidhja Demokratike e Kosovës. “Sot, në Universitetin Publik të Prizrenit, kreu i Qeverisë së PDK-së, në kundërshtim me ligjin dhe me me çdo etikë, bëri fushatë të hapur dhe kërkoi nga studentët që uljen e pagesës ta shndërrojnë në votë për PDK-në”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Top Channel