Sherr mes të rinjve, vdes 18-vjeçari

07/04/2014 00:00

Një sherr verbal mes të rinjsh në Malësinë e Madhe ka degraduar në përdorimin e armëve të ftohta, të cilat i kanë marrë jetën një të riu dhe kanë plagosur rëndë një tjetër.

Lajmin e bëjnë të ditur burime policore lokale, sipas të cilave ngjarja ka ndodhur në fshatin Bajzë, mes dy familjarëve Kristian e Mirash Kaçaj dhe shtetasit Marjan Lepuri.

Sipas burimeve, ka qenë ky i fundit që pas fjalëve të përdorura në debat ka nxjerrë thikën dhe ka goditur dy familjarët, që pas ngjarjes janë dërguar në spitalin rajonal të Shkodrës për mjekim.

Për fat të keq, saktësojnë burimet, 18-vjeçari Kristian Kaçaj ka ndërruar jetë në spital, ndërsa Mirash Kaçaj është ende gjallë, por edhe ai me plagë të rënda.

Autoritetet policore lokale shtojnë më tej se pas identifikimit, autori i dyshuar i krimit, shtetasi Marjan Lepuri, është shpallur person në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij.

Pritet që më shumë dritë mbi ngjarjen të hidhet pas marrjes në pyetje të dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, që thuhet se u verifikua në një lokal të fshatit.

Top Channel