Itali, bariu shqiptar vritet me një plumb në kokë

07/04/2014 00:00

Një 23-vjeçar është gjetur i vrarë me armë zjarri në Leçe të Italisë dhe
dyshohet se ai është ekzekutuar nga mafia. Trupi i pajetë, i cili
thuhet se i përket emigrantit Qamil Hyraj, është gjetur në Porto
Cesareo, në Torre Lapillo, pranë bregdetit të Jonit.

Prej disa kohësh, viktima punonte si bari, në një fermë të zonës së lartpërmendur. Pronari i Hyrajt, Anxhelo (Angelo) Roi rreth orës 13:30 të së dielës, ka shkuar në fermë që t’i çonte për të ngrënë djaloshit, por e ka gjetur të vrarë. Për një moment, ai ka shpresuar se shqiptari ishte gjallë dhe nuk ka humbur kohë që të thërrasë ambulancën, por ishte e kotë, sepse ai kishte humbur jetën si pasojë e plagës së marrë në pjesën e kokës.

Nga të dhënat paraprake thuhet se autori i krimit e ka qëlluar 23-vjeçarin vetëm një herë me pistoletë në ballë dhe nga mënyra se si është bërë krimi, vrasja i përket e stilit mafioz. Viktima e gjetur pranë furgonit të tij, ngjyrë të bardhë, kishte rënë përmbys dhe dyshohet se ai i është lutur në gjunjë vrasësit që t’i kursente jetën, por autori i krimit nuk e ka marrë parasysh këtë lutje. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar forca të shumta policie për të nisur hetimet. Autoritet thonë se i riu nuk njihej si person me precedentë penalë dhe se ai bënte një jetë mes Shqipërisë dhe Italisë. Paraprakisht dyshohet se ai mund të jetë vrarë për shkak të larjes së hesapeve.

 

Top Channel